Autorët nuk janë gjetur ende, madje siç ndodh rëndom kanë ikur në drejtim të “paditur”, por gjithsesi Policia e Fierit po bën “kërdinë” me të shoqëruar të dyshuar për krimin që tronditi Fierin dy ditë më parë.
Policia e Fierit po kryen hetime intensive për zbardhjen e vrasjes së biznesmenit Demir Backa, me 18 plumba në Fier. Mësohet se deri tani janë shoqëruar rreth 15 persona, të cilët janë marrë në pyetje mbi ngjarjen, pasi kanë parë atë çka ka ndodhur, teksa policia deklaron se, kanë qenë të paktën tre autorë të ekzekutimit.
Ndërkohë, mediat kanë mundur që të zbardhin detaje nga pistat e hetimit, që kanë dalë në dritë ditën e sotme për vrasjen e biznesmenit Backa.
Ai u qëllua për vdekje teksa ndodhej në makinën e tij pranë ish-QTU-së në Fier. Burime nga Policia e Fierit kanë folur për faktin se makina e autorëve, e cila u gjet e djegur, e ka ndjekur biznesmenin dhe kanë shfrytëzuar momentin kur e kanë gjetur vetëm.
Provat dhe ekzaminimet
Nga ekzaminimi mjeko-ligjor i trupit të viktimës, ka rezultuar se 57-vjeçari Backa, është qëlluar me 18 plumba. Tre plumba e kanë kapur në zonën e qafës dhe kokës dhe rreth 15 të tjerë, në kraharor i kanë marrë jetën 57-vjeçarit.
Ndërkohë, makina e djegur e autorëve të krimit ndodhet në mjediset e komisariatit të Fierit, aty ku do të ekzaminohet gjithçka ka mbetur prej saj.
Në vendin u ku dogj mjeti, janë studiuar të gjitha rrugët nga ku mund të largoheshin autorët.
Lidhja me by-pass-in është shumë afër, ç’ka dhe sipas hetimeve, bënë që të jetë një ndër rrugët nga ku mund të jenë larguar autorët. Sipas të dhënave paraprake mund të kenë qenë 3 personat e përfshirë në këtë ngjarje. Dy prej tyre në automjetin tip “Mercedes-Benz” që u gjet i djegur dhe një tjetër që mendohet se i priste në zonën e Daullasit.
Hetimet mbi autorët
Dyshohet se atentatorët e krimit makabër në Fier, ndaj biznesmenit Demir Backa, kanë qenë të paktën 3 persona dhe më pas, sërish së bashku kanë ikur në drejtim të Lushnjës.
Sipas Policisë së Fierit, prej nga ku dhe kanë “rrjedhur” informacionet e para, mendohet se atentatorët mund të jenë vrasës me pagesë nga zona e Krujës ose e Laçit, por nuk dihen më shumë detaje lidhur me aktivitetin e tyre.
Por ka edhe pista të tjera që kanë “shpërndarë” hetuesit e ngjarjes, ku e para ka të bëjë me të vëllanë e vrarë në masakrën e Levanit në vitin 1997. Tjetra ka të bëjë me vrasjen e motrës së Backës, 23 vite më parë.
Por po gjithashtu, shqyrtohet edhe përfshirja e tij në marrjen me koncension e një pjese të lagunës në Lushnjë. Për këtë të fundit mësohet se janë rreth 200 hektarë që i janë dhënë me koncension personit me inicialet A.P., me të cilin Backa ka pasur konflikte për këtë pronë.
Po ashtu dyshohet se, ka edhe konflikte për një sipërfaqe toke në Darëzezë, për të cilën nuk dihet më tepër detaje. Megjithatë hetuesit ende nuk janë “kanalizuar” në një pistë të vetme, për të sjellë edhe prangosjen e autorëve të krimit.
Demir Backa, u qëllua në makinën e tij të llojit “Audi” me disa dhjetëra plumba dhe u dërgua në spital me shenja jete, por pas një orë nga Policia, u dha lajmi për vdekjen e tij. Ndërkohë, autorët pasi kryen krimin u larguan dhe më pas dogjën makinën dhe janë zhdukur pa gjurmë.
/Priza.al/