Minutë pas minuti rritet numri i qytetarëve të helmuar të cilët kanë përfunduar në spitalin e Krujës. Deri tani, në Urgjencën e spitalit janë paraqitur 170 qytetarë, burra, gra e fëmijë. Ata kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe më pas janë larguar për në banesat e tyre, por 30 qytetarë ndodhen ende në spital, pasi janë në një gjendje më të rënduar shëndetësore.
Lajmi është konfirmuar edhe nga vetë drejtoresha e spitalit Yllka Shetaj, e cila pavarësisht fluksit të pacientëve dhe shifrave në fjalë, thotë se nuk kemi të bëjmë me një helmim masiv. Shetaj shton gjithashtu se nuk dihet nëse nëse helmimi vjen nga uji apo ushqimi.
“Ka raste të shtuara të pacientëve që kanë kërkuar ndihmë për shkak të helmimit. Kanë marrë mjekim në urgjencë dhe janë larguar. Nuk dimë nëse helmimi vjen nga uji apo ushqimi, kemi kërkuar të bëhen analiza nga NJVKSH. Nuk mund të them se kemi të bëjmë me helmim masiv,”- u shpreh ajo.
Qytetarët kanë deklaruar se shkak mund të jetë bërë uji i pijshëm që vjen nga rrjeti pasi ushqimet kanë qenë të zakonshmet. Vetë mjekët shtojnë se kemi të bejmë me intoksikim alimentar, por origjina e tij nuk dihet ende. Paraprakisht mësohet se janë marrë disa mostra të ujit të rrjetit të cilat janë dërguar për ekzaminim, por përgjigjia nuk ka dalë ende.
/Priza.al/