Në javën e dytë të vitit të ri akademik pikat e vaksinimit vijojnë të shërbejnë në universitete, pasi kusht për të ndjekur mësimin në auditor është të jesh i vaksinuar.
Por urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë nuk është lehtësisht i zbatueshëm. Në fakultetin e mjekësisë së përgjithshme nuk ka kontrolle për certifikatën e vaksinimit, nëse je i vaksinuar apo jo mund të bëhesh pjesë e mësimit në auditore.
“Nuk është ndaluar njeri. Ata janë me maska. Shumica e studentëve të mjekësisë janë të vaksinuar ndaj’, thotë një student.
Pjesa më e madhe e mjekëve të ardhshëm kanë kryer vaksinën para vendimit që injektimi i saj të ishte i detyrueshëm.
“E kam kryer që në korrik. Më mbron mua dhe familjen. Ne si student mjekësie jemi më të ndjeshëm e të ndërgjegjshëm për këtë temë”, thotë një nga studentët e mjekësisë.
Ndërsa ka pasur edhe studentë të mjekësisë të dyzuar, të cilët e kanë kryer vaksinën vetëm për shkak të dëshirës së rikthimit të mësimit në auditor.
‘Unë besoj te shkenca. Por kam qenë me dy mendje, ta bëj mos ta bëj se kam pasur dyshime për mirëmbajten e saj… por vendimi që vaksina u kthye e detyrueshme më shtyu ta bëja’, thotë një student tjetër.