Bankat rritën shkallën e miratimit të aplikimeve për kredi nga bizneset në tremujorin e tretë të vitit.
Sipas informacionit që bankat kanë raportuar në Vrojtimin e Aktivitetit Kreditues, të kryer nga Banka e Shqipërisë, raporti i kredive të refuzuara ndaj totalit të aplikimeve për kredi nga ana e bizneseve u raportua në rënie në tremujorin e tretë të vitit.
Po ashtu, standardet u lehtësuan në të dyja llojet e përdorimit të kredisë: atë me qëllim financimin e investimeve dhe atë për mbulimin e nevojave për likuiditet. Lehtësimi i standardeve të kreditimit për bizneset u nxit nga perceptimi i bankave për rrezik më të ulët për situatën aktuale ekonomike e perspektivën e saj, si edhe për gjendjen financiare të bizneseve. Po ashtu, në lehtësimin e standardeve të kreditimit ndikoi dhe perceptimi mbi përmirësimin e situatës ekonomike në vendet partnere tregtare. Për tremujorin e fundit të vitit 2021, standardet e kreditimit për bizneset priten të lehtësohen më tej. Bankat presin të aplikojnë standarde më të lehtësuara kreditimi mbi kreditë e dhëna për qëllime investimi, si edhe për mbulimin e nevojave për likuiditet. Po ashtu, standardet e kreditimit priten të lehtësohen më tej në të dyja segmentet e madhësisë së biznesit: atë të vogël e të mesëm (SME-të), si edhe të biznesit të madh.
/Burimi: Monitor/