Energjia është kthyer në të mirën më të lakmuar të këtyre ditëve dhe çmimet në bursa kanë prekur nivele rekord teksa u theksua se nuk bëhej më fjalë për vlerë financiare, por për sasi të disponueshme për blerje.
Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL), një nga tre kompanitë pjesë e OSHEE Group, pagoi vetëm në tetor për të siguruar energjinë e nevojshme për konsum rreth 65 milionë euro, një shumë kjo rekord dhe më e madhja e regjistruar ndonjëherë në një hark të tillë kohor prej më pak se 30 ditësh. Mjafton të shohim procedurat që janë zhvilluar gjatë këtij muaji që mbulojnë periudhën nga data 4 tetor deri në 31 tetor për të llogaritur dhe shpenzimin që është dashur të bëhet.
Për datat nga 4 tetori deri në 31 tetor janë blerë në treg të lirë mbi 237 mijë MWh energji, çka bën që çmimi mesatar me të cilën është siguruar një megavat/orë është rreth 273 euro/ MWh.
Sigurisht ky çmim rezulton nga mesatarizimi, por FTL-së i është dashur të blejë energji në nivele mbi 320 euro MWh.
Qeveria shpalli në 8 tetor gjendjen e emergjencës në furnizimin me energji elektrike duke sjellë bashkë me të një sërë masash që nisin nga pezullimi i investimeve në sektorin e energjisë nga të tre operatorët dhe fokusimi i tyre tek sigurimi i energjisë për konsum deri tek vendosja në dispozicion të instrumenteve financiarë për OSHEE-në. Kjo e fundit ka në dispozicion 100 milionë euro për të siguruar energjinë e nevojshme gjatë këtij viti në tregun e lirë ndërkohë që 100 milionë të tjera janë në dispozicion për pjesën e parë të vitit tjetër. Gjendja e emergjencës është lënë në fuqi deri më 15 prill 2022.
Por teksa u tha se OSHEE do të ketë në dispozicion për këtë vit 100 milionë euro për blerje energjie thuajse 65 për qind e këtij fondi është fshirë vetëm në muajin tetor teksa mbeten para nëntori dhe dhjetori. Sigurisht shpresat janë varur tek ndryshimi i situatës hidrike në vend dhe reshjet potenciale në vjeshtë dhe dimër por nuk ka asnjë garanci mbi ecurinë dhe sytë mbeten në tregun e lirë.
Aktualisht çmimet në bursa vijojnë të mbeten të lartë edhe pse disi më ndryshe nga mesi i tetorit. Në Bursën e Hungarisë 1 MWh për datën 26 tetor u shit mesatarisht me 235 euro, ndërkohë që në pik regjistroi vlerën 251 euro. Ekspertë ndërkombëtarë të sektorit të energjisë dhe ekonomistët parashikojnë që kriza e energjisë të zgjasë të paktën dy vjet deri në stabilizimin e çmimeve për shkak të kushteve dhe faktorëve kompleksë që e krijuan atë dhe nga e cila po vuan një pjesë e mirë e globit.
/Burimi: MONITOR/