Opozita sot me anë të disa fotove dhe disa statuseve në rrjetet sociale, akuzoi Zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, se po qarkullon me një autoveturë tepër “luksoze” dhe të shtrenjtë të markës “Bentley”.
Por duket se përfaqësuesit e opozitës i ka ngatërruar stema mbi kofanon e autoveturës së zezë të Ahmetajt, e ngjashme me atë të një “Bentley”, por që në fakt është diçka tjetër.
Pas këtyre akuzave që u shpërndanë në rrjet, ka reaguar edhe vetë Zv.kryeministri Arben Ahmetaj, lidhur me akuza e lëshuara ndaj tij, ku thuhej se ai “vjen në Kuvend me një makinë luksoze ‘Bentley’”.
Makina luksoze “Bentley” që pretendonte opozita, është vërtetë e tillë dhe kap një shifër prej 270 mijë eurosh, por në fakt Zv.kryeministri Ahmetaj, për fat të keq nuk posedon një të tillë.
Pasi e ka kapur opozitën në një “gafë” të radhës, Ahmetaj i ka hedhur poshtë këto akuza me fakte.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Ahmetaj shprehet se, makina nuk është “Bentley” por një markë “Hyundai Genesis”. Ndërkohë Ahmetaj deklaron se, makina e tij, pra kjo në foto, nuk kushton sa ç’thotë opozita “270 mijë Euro”, por ka një kosto prej 28 mijë dollarësh (kur është me 0 km) dhe jo 270 mijë euro.
“Kush e gjen dot ndryshimin mes një Hyundai Genesis 28 mijë dollarë dhe një Bentley 270 mijë euro? Ta kuptojnë zemrat e zjarrta që dhe njëherë tjetër shpërndanë një lajm qorr e thuthuq”,- shkruan Ahmetaj në një postim nga rrjeti i tij social Facebook.
Siç shihet në pamje dy makinat janë tepër të ngjashme për sa i përket logos.
/Priza.al/