Ministria e Arsimit zotohet se deri në vitin 2024, çdo fëmijë rom dhe egjiptian, do të regjistrohet në shkollë e do të përfundojnë shkollën 9 vjeçare dhe 70% më shumë vajza e djem romë dhe egjiptianë do të mbarojnë të gjitha nivelet e arsimimit.
Digjitalizimi i shkollave është prioritet i ministrisë së arsimit përgjatë periudhës 2022-2024, ku është planifikuar blerja e pajisjeve elektronike, kompjuterë, laptop, apo tableta për 200-250 institucione arsimore. Veç rindërtimit të 140 godinave arsimore të dëmtuara nga tërmeti, në fokus është dhe përmirësimi i infrastrukturës shkollore ku parashikohet të investohet në 2000 klasa dhe laboratorë mësimore.
Cilësia e mësimdhënies është objektivi i radhës ku pritet investimi në bibliotekat e shkollave me blerjen e librave si dhe rritjen e notës mesatare në provimet e maturës shtetërore nga 7.1 në 7.6. Për arsimin e lartë përgjatë dy vite parashikohet rritja e kualifikimit të stafit akademik deri në 10% si dhe të nxitet kërkimi shkencor nëpërmjet financimit të drejtpërdrejtë, ku prioritet do të kenë femrat. Për vitin e ardhshëm qeveria ka rritur buxhetin e arsimit me 4.9 miliardë lekë, duke e çuar totalin e tij në 45.6 miliardë lekë, për të bërë të mundur jetësimin e këtyre prioriteteve.
/Burimi: TCH/