Zbardhet dëshmia e plotë e Shefit të Krimeve: Çfarë iu kërkoi Saimir Hoxha të rinjve para se të vritej…

Emisioni “Në shënjestër” zbardh të plotë dëshminë e shefit të krimeve në Komisariatin e Lezhës, Leonard Palushi, dhënë pas vrasjes së kolegut të tij, Saimir Hoxha, më 28 shtator, pasi kishin asgjësuar një parcelë me kanabis.

Zyrtari i policisë shpjegon moment pas momenti veprimet që ka kryer bashkë me kolegët dhe vendimin që morën për të ndaluar automjetin ku udhëtonin tre të rinj, njëri prej të cilëve Aldi Rama, i cili qëlloi për vdekje me dy plumba babain e dy fëmijëve.

DËSHMIA E PLOTË E PALUSHIT
Punoj pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, me detyrën shef i krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë që nga viti 2020. Më datë 28.09.2021, si çdo ditë kam ardhur në punë në orën 08:00 dhe rreth orës 09:00 së bashku me oficerin e krimeve të ndjerin Saimir Hoxha dhe punonjësin e policisë Petrit Doda kemi marrë makinën tip foristradë me targa TR3997M me ngjyrë të bardhë që është në administrim nga policia e shtetit dhe kemi shkuar në ishull-Lezhë në bregun e lumit Kune-Vain. Sapo kemi shkuar në vendin ku kishte dyshime se në brendësi të ferrave në bregun e lumit kishte bimë narkotike cannabis sativa. Pasi kemi konstatuar bimë të mbjella të dyshuara si cannabis sativa, në këtë kohë kemi parë përreth zonës nëse kishte njeri dhe kemi filluar kryerjen e veprimeve hetimore, si këqyrja e vendit të ngjarjes, prerja dhe asgjësimi i bimëve narkotike duke marrë një monstër për kampion për të kryer ekspertimin kimik dhe e kemi vendosur në makinë, pasi është djegur e gjithë sasia e lëndës narkotike kemi marrë makinën për të ikur në Lezhë.

Unë isha në drejtim të mjetit, në sediljen e parë ishte i ndjeri Saimir Hoxha, ndërsa në sediljen e pasme ishte inspektori i policisë së rendit Petrit Doda. Gjatë rrugës kur po ktheheshim në drejtim të Lezhës, rreth 100 metra nga vendi ku ndërpritet shtresa e asfaltit të rrugës automobilistike, jemi shkëmbyer në rrugë me një mjet autoveturë e cila po lëvizte në drejtim nga Lezha për në Kune, në të cilën ishin tre djem të moshës së re dhe na tërhoqi vëmendjen, pasi ajo zonë është e pabanuar dhe në vendin që hapi krahun për tu shkëmbyer menjëherë janë kthyer pas nesh për në Lezhë, pas makinës tonë. Në këtë moment kemi vënë re që kjo makinë po vinte pas nesh, gjë e cila na ka shtuar akoma dyshimet në lidhje me këta persona, në këto rrethana kemi diskutuar të tre bashkë dhe kemi vendosur që t’i ndalonim për të verifikuar se kush ishin këta persona dhe çfarë po kërkonin në atë zone. Rreth 100 metra pasi kemi kaluar ndërprerjen e asfaltit kam hapur krahun dhe kemi zbritur të tre nga mjeti dhe i kemi bërë më dorë shenjë ndalimi mjetit që vinte pas nesh dhe ky mjet ka ndaluar.

 

Pas ndalimit të mjetit unë së bashku me Petrit Dodën jemi afruar nga ana e shoferit dhe Petriti ka komunikuar me shoferin e mjetit duke i thënë se jemi punonjës policie dhe i ka kërkuar një dokument identifikimi, letër njoftim ose patentë të drejtuesit të mjetit, në këtë kohë drejtuesi i mjetit ka zbritur nga mjeti, Saimiri ka shkuar tek personi që ishte në sediljen e parë dhe i ka kërkuar një mjet identifikimi i cili iu bind dhe zbriti nga mjeti, ndërkohë Saimiri i është drejtuar pasagjerit që ishte ulur në sediljen e pasme, pas pasagjerit në anën e djathtë të mjetit duke i thënë se kush jeni ju dhe a keni dokument. Unë kam dëgjuar se ky pasagjer i ka thënë Saimirit “unë nuk jam për t’u kontrolluar” dhe menjëherë kam dëgjuar një krismë armë zjarri dhe kam parë Saimirin duke lëvizur për nga mbrapa mjetit, ndërkohë unë dhe Petriti jemi shmangur në pjesën ku ishte ndaluar makina e policisë në anën e rrugës nga laguna. Gjatë kësaj kohe që u shmangëm për tu pozicionuar përballë mjetit të policisë kam nxjerrë armën e shërbimit dhe kam parë se automjeti i këtyre personave u nis me shpejtësi për tu larguar në drejtim të Lezhës dhe kam qëlluar disa herë me armën e zjarrit të shërbimit në drejtim të këtij mjeti duke mbajtur vijën e shënimit në pjesën e poshtme të mjetit dhe gomave, ku mjetit i është çarë goma dhe ka vazhduar rrugën në drejtim të Lezhës. Menjëherë së bashku me Petritin kemi bërë bllokimin e dy personave duke i shtrirë në tokë. Më pas, Petriti ka ikur për të parë Saimirin dhe sapo e ka parë më ka thënë që Saimiri është plagosur. Menjëherë kam lajmëruar ambulancën dhe kemi mbajtur dy personat për t’i shoqëruar në polici./BW

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *