Tremujori i III/ Norma mesatare e interesit të borxhit të brendshëm në rënie

Normat e interesit të borxhit të brendshëm në terma mesatarë pësuan sërish rënie në tremujorin e tretë të këtij viti.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, yield-i mesatar i instrumenteve të emetuara në tregun e brendshëm financiar në muajin shtator zbriti lehtë në nivelin 3.56%, nga 3.58% që kishte qenë në fund të tremujorit të mëparshëm dhe 3.71% që kishte qenë në në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Yield-i i shënuar në fund të shtatorit përfaqëson një rekord të ri historik për instrumentet e huamarrjes së brendshme të qeverisë shqiptare. Gjendja likuide e tregut të brendshëm, shëndeti i mirë i sektorit financiar dhe politika monetare e ndjekur nga Banka së Shqipërisë kanë bërë që yield-et mesatare të vijojnë rënien. Gjatë muajit shtator, është vërejtur një rritje e raportit mes kërkesës dhe ofertës në ankande, që tregon interes në rritje mes agjentëve të tregut financiar për të blerë instrumentet e borxhit qeveritar. As vala e rritjes së çmimeve e nisur në fund të verës dhe rritja e presioneve inflacioniste nuk ka sjellë ndikim domethënës në tregun primar të letrave të borxhit qeveritar.

Në muajt e fundit, inflacioni po jep sinjale rritjeje, që lidhet sidomos me shtrenjtimin e lëndëve të para dhe produkteve energjetike në tregjet ndërkombëtare. Në muajin shtator, norma vjetore e inflacionit ishte në nivelin 2.5%, duke arritur nivelet më të larta që prej fillimit të vitit 2017.

Në analizën e këtij muaji, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë arriti në konkluzionin se vala e rritjes së çmimeve do të ndikojë inflacionin edhe në Shqipëri. Ky ndikim i krizës së çmimeve pritet të jetë i ndjeshëm, por kalimtar. Në linjë edhe me parashikimet e institucioneve të huaja homologe, Banka e Shqipërisë pret që situata e çmimeve të ushqimeve dhe lëndëve të para të stabilizohet gjatë vitit të ardhshëm.

Një faktor tjetër mund të ulë ndjeshëm presionin mbi normat e interesit në tregun e brendshëm financiar është vendimi për të dalë qysh këtë vit në trejget ndërkombëtare për emetimin e eurobondeve të reja. Kjo dalje ishte parashikuar për vitin e ardhshëm, por pikërisht për shkak të pritshmërive për rritje të normave të interesit, Ministria e Financave ka vendosur ta kryejë emetimin brenda këtij viti. Sigurimi i një huaje mes 500 dhe 700 milionë eurosh në tregjet ndërkombëtare do të ulë kërkesën për financim dhe do të rrisë likuiditetin e lirë në tregun e brendshëm. Një tendencë e tillë u vërejt në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, pas emetimit të eurobondit të fundit. Financimi i deficitit të ri buxhetor kryesisht nëpërmjet eurobondit ndikoi në uljen e ndjeshme të yield-eve të instrumenteve të emetuara në tregun e brendshëm.

Në tremujorin e fundit të këtij viti huamarrja e brendshme e qeverisë shqiptare do të pësojë një rënie të ndjeshme në tremujorin e katërt të vitit. Sipas kalendarit të huamarrjes së Ministrisë së Financave, vlera totale e parashikuar për t’u financuar në ankande do të jetë 68.2 miliardë lekë, shumë kjo 25% më e ulët krahasuar me tremujorin e tretë të vitit dhe 13% krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Emetimi i suksesshëm i eurobondit mund të sjellë ulje të mëtejshme të huamarrjes krahasuar me parashikimet, duke reduktuar edhe më shumë trynsinë mbi normat e interesit.

/Burimi: MONITOR

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *