Mbiçmimi i Euros në kursin e këmbimit valutor me Lekun vijoi me ritme të shpejta edhe ditën e enjte.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye me 122.68 Lekë, niveli më i lartë që prej fundit të muajit qershor. Leku humbi pikë ndjeshëm edhe kundrejt të gjitha valutave të tjera, me përjashtim vetëm të lirës turke. Nga euros, leku shënoi rënien më të fortë ditore gjatë këtij viti.
Dollari amerikan u këmbye me 105.85 Lekë, niveli më i lartë prej shtatorit të vitit të kaluar.
Agjentët e këmbimit valutor mendojnë se një mbiçmim i Euros ishte i pritshëm, duke pasur parasysh se këtë vjeshtë monedha Europiane po qëndronte në nivele shumë të ulëta, në të njëjtat nivele me sezonin veror. Sipas këtyre burimeve, në treg ka një kërkesë të dukshme në rritje për Euro.
Kjo kërkesë mund të shpjegohet në një masë të madhe me rritjen e çmimeve të energjisë elektrike, që ka shtrenjtuar importet e saj dhe ka shtuar kërkesën për valutë për këtë qëllim.
Përveç energjisë elektrike, shtrenjtimi i mallrave të importit në përgjithësi është një faktor që natyrshëm do të rriste kërkesën për valutë nga kompanitë importuese. Shtrenjtimi i mallrave të importit në muajt e fundit po shkakton rritje të deficitit tregtar, që në fund të shtatorit arriti vlerën e 290 miliardë Lekëve ose pothuajse 2.4 miliardë Eurove, në rritje me 23.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare.
Një faktor tjetër, sipas ekspertëve, është edhe periudha e fundit të muajit sjell zakonisht një mbiçmim të Euros, për shkak se bankat mbyllin pozicionet e hapura në valutë, duke sjellë një lloj rritje. Përveç arsyeve që lidhen me kërkesën, agjentët e tregut mendojnë që mbiçmimi i Euros ka filluar të lidhet edhe me faktorin psikologjik.
Kur kursi ka luhatje të mëdha në një kah të caktuar, aktorët e tregut krijojnë pritshmëri se e njëjta tendencë do të vazhdojë. Në rastin konkret, rritja e fortë e Euros në ditët e fundit ka krijuar pritje se e njëjta tendencë do të vazhdojë, duke e shtyrë çmimin e monedhës Europiane drejt rritjes.
Kur kursi hyn në një cikël të tillë, ata që kanë nevojë të blejnë Euro nxitojnë ta bëjnë, sepse presin që mbiçmimi i saj të vazhdojë, duke rritur kështu kërkesën; nga ana tjetër, ata që kanë Euro mund ta shtynë shtijen, në pritje të mbiçmimit të mëtejshëm dhe kjo e ul më shumë ofertën. Në këtë mënyrë, faktori psikologjik mund të bëjë që tendenca e mbiçmimit të Euros kundrejt Lekut të theksohet më tej gjatë ditëve në vazhdim.
Lidhur me kursin e valutave të tjera, ekspertët shprehen se ai nuk lidhet me kërkesën dhe ofertën në tregun e brendshëm. Kursi i Lekut ndaj Dollarit dhe monedhave të tjera është reflektim i kursit të këtyre monedhave kundrejt Euros: në momentin që ato fitojnë pikë ndaj Euros në tregjet ndërkombëtare, mbiçmohen edhe ndaj Lekut.
Këtë muaj, Euro ka prekur nivelet më të ulëta në kursin e këmbimit me Dollarin Amerikan prej më shumë se një viti. Përkundrejt një vale të fortë inflacioniste që ka përfshirë Eurozonën, për momentin Banka Qendrore Europiane i qëndron bindjes se kjo valë do të jetë kalimtare, duke përcjellë në tregje mesazhin se nuk planifikon një ndryshim të shpejtë të kursit aktual të politikës monetare ultra stimuluese.
Nga ana tjetër, Rezerva Federale amerikane po mban një qëndrim më konservator, duke lënë të kuptohet se rritja e normave të interesit mund të fillojë qysh vitin e ardhshëm, ndërsa në projeksionet e mëparshme shumica e anëtarëve të Komitetit të Vendimmarrjes mendonin se kjo mund të ndodhte vetëm në vitin 2023.
(Burimi: Banka e Shqipërisë)
/Burimi: Monitor.al/