Në 24 orët e fundit në Bulqizë janë regjistruar gjashtë lëkundje sizmike. Më e forta u shënua mëngjesin e sotëm në orën 08:10 minuta me epiqendër në Shupenzë, Bulqizë, me magnitudë 4.5 Rihter. Zona e Bulqizës njihet nga sizmologët për aktivitetin e lartë sizmik, pasi edhe pak javë më parë u regjistrua një goditje e fortë, e shoqëruar nga disa pagoditje më të vogla.
Sizmologu Rrapo Ormeni thotë se lëkundjet e tërmetit që janë ndjerë mëngjesin e sotëm por edhe ditën e djeshme në vend nuk kanë asgjë për t’u shqetësuar.
“Kjo e sotmja duket se është një goditje kryesore. Tërmetet janë dy tipologji, goditja kryesore ka para dhe pas goditje. Shumica janë pasgoditje. Është tipi i tërmetit që është shoqëruar me paragoditje. Janë procese normale që ndodhin. Ky tërmet është normal, i vogël” tha ai duke folur për Abcnews.
Sizmologu qetësoi qytetarët kur tha se tërmeti i regjistruar sot në Bulqizë nuk ka lidhje me atë që ndodhi në Durrës në 26 nëntor të 2 viteve më parë, tragjedia me 51 viktima.
“Nuk ka lidhje. Është zonë tjetër nuk ka lidhje me zonën e Durrësit. Zona e Bulqizës është e dalluar, bie në çdo cdo vit një tërmet i kësaj madhësie”.
Në 24 orët e fundit vetëm në zonën e Bulqizës sipas IGJEUM-it, janë shënuar gjashtë lëkundje sizmike. Ndërkohë një tërmet me magnitudë 4.5 Rihter u regjistrua mëngjesin e sotëm në zonën e Bulqizës, ndërsa para dhe pas goditjes kryesore kishte edhe disa lëkundje më të vogla.
/Burimi: ABC/