Nga Julian Roepcke
Pamje shqetësuese vijnë nga Rusia perëndimore.
Ushtria e Vladimir Putin, po vendos bomba të vogla standarde me rënie të lirë te avionët e transportit të mallrave. Kjo gjë shihet te fotot e publikuara nga Ministria ruse e Mbrojtjes.
Nga fotot shihet se si teknikët montojnë bomba të vërteta ajrore në avionët e tipit “Ilyushin Il-76”, të cilët përdoren zakonisht për të transportuar mallra, armë, ose për të fluturuar me trupat parashutiste në një zonë të caktuar.
Sipas një informacioni zyrtar, hedhja e bombave do të praktikohet në ditët në vijim.
Por përse ushtarët rusë po montojnë bomba të vogla, por vdekjeprurëse në avionë që janë krejtësisht të papërshtatshëm për të bombarduar objektivat e armikut për shkak të aftësisë së dobët manovruese?
“Ata e kanë bërë këtë gjë prej pak kohësh dhe kurrë nuk kam qenë në gjendje të them saktësisht se përse mendojnë, se mund të vendosin bomba 50 paund me rënie të lirë në krahët e një avioni të tillë”,- thotë për “BILD” blogeri i pavarur ushtarak, Petri Maekelea.
“Linja zyrtare” e Rusisë është se avionët e ngarkuar me bomba, duhet të sigurojnë zonat e uljes dhe aeroportet në rajone të kontestuara, sipas ekspertit ushtarak Maekelea.
“Por kjo nuk ka shumë kuptim pasi një avion i vetëm luftarak gjuajtës-bombardues, mund të hedhë shumë më tepër municion me saktësi nga një lartësi më e madhe”.
Kjo është arsyeja se përse specialisti i ushtrisë finlandeze ka një shpjegim tjetër shqetësues për riorganizimin e avionëve të mallrave.
“Do të kishte kuptim nëse po planifikon një sulm të befasishëm ose një ulje të papritur me parashutë kundër një armiku, kur nuk e di se çfarë të pret”,- thotë Maekelea.
Një teori që shqetëson jo vetëm finlandezët. Sepse disa nga zonat e stërvitjes janë në rajonin e Pskovit, më pak se 50 kilometra larg kufirit me BE-në dhe NATO-n.
“Pikërisht pranë Estonisë dhe Letonisë”,- shkruan ish-presidenti estonez Toomas Hendrik Ilves, duke iu referuar veprimeve të ushtrisë ruse. Edhe analistë të tjerë kanë shprehur shqetësim për vendosjen e armatimeve të Putinit në kufirin e kundërshtarit kryesor të deklaruar gjeopolitik.
/Burimi: BILD/