Një ngjarje e rëndë është shënuar paraditen e djeshme në qytetin e Sarandës, ku Hasan Imeri, 63-vjeç, i cili punonte roje, ka rënë nga kati i 15 në të 14-tin dhe ka ndërruar jetë në vend.
Policia shoqëroi pronarin e pallatit ku 63-vjeçari punonte, ndërsa sot është konfirmuar arresti.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë për veprat “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, shtetasit M. R., 47 vjeç, banues në Sarandë (administrator i pallatit) dhe A. R., 60 vjeç, banues në Tiranë (pronar i pallatit), pasi paraditen e djeshme, në lagjen nr.2, Sarandë, në një pallat 15-katësh, është rrëzuar nga lartësia, duke punuar shtetasi H. M, 63 vjeç, i cili si pasojë ka ndërruar jetë”, ka njoftuar policia e Vlorës.
Uniformat blu bëjnë gjithashtu me dije se 2 persona janë arrestuar për dhunë në familje.
“Seksioni për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Dhuna në familje”, shtetasin B. M., 58 vjeç, banues në Vlorë, pasi ka goditur me mjete të forta, për motive të dobëta, ish kunatën e tij. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Dhuna në familje”, shtetasin A. T., 47 vjeç, banues në Mat, pasi dyshohet se ka dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht bashkëjetuesen e tij”, thuhet një njoftimin e policisë Vlorë.
/Priza.al/