Data kur do të zhvillohet takimi i radhës mbi nismën ‘Ballkani i Hapur’ do të jetë 3 dhe 4 nëntor në Serbi. Në Serbi do të jenë të pranishëm në këto data edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç.
Tre zyrtarët do të diskutojnë për hapat e mëtejshme që pritet të ndërmerren në kuadër të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave mes vendeve. Në fund të takimit, pritet që Rama, Vuçiç dhe Zaev të zhvillojnë dhe një konferencë të përbashkët për shtyp.
Nuk dihet ende nëse u është bërë ftesë tre vendeve të tjera të Ballkanit që kanë refuzuar të marrin pjesë më herët si Bosnje-Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi. Ballkani i Hapur, i njohur ndryshe si mini-shengeni ballkanik, është nisma e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për të forcuar marrdhëniet ekonomike e politike mes tyre.
Punimet e samitit “Ballkani i Hapur” kanë nisur më 29 korrik dhe u finalizuan me nënshkrimin e dy memorandumeve dhe një marrëveshje ndërshtetërore që kanë për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe thjeshtimin e formaliteteve lidhur me importin, eksportin dhe lëvizjen mallrave, bashkëpunimin mes doganave dhe autoriteteve të tjera kompetente të Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
/Priza.al/