‘Jam më i miri’/ Nuk di të ndalet, Ibrahimoviç regjistron 400 gola në karrierën e tij!

Sulmuesi Zlatan Ibrahimoviç ka arritur në kuotat e 400 golave në kampionatet ku ka luajtur dhe 150 vetëm në Serie A. Suedezi thotë se nëse largohet nga Milani, karrierën do ta vijojë gjetkë.

Shënuat golin e 400-të në karrierë…

Nuk e dija që mund të arrija një shifër të tillë e as e kam pasur objektiv. Për mua rëndësi ka që skuadra të fitojë e unë të ndihmoj sa më shumë të mundem. Për t’ia dalë mbanë duhet të luaj sa më shpesh.

Shumë vërshëllima për ju…

Nga ana ime shpresoj të më vërshëllejnë edhe më shumë, sidoqoftë, shoh paraqitjen tonë e cila ishte e madhe. Tri pikë me peshë, por e dinim se sa vështirësi na prisnin. Duhet të vazhdojmë me këtë ritëm e me këtë vetëbesim. Djemtë bënë një ndeshje të madhe.

Një gol i bukur, me 101 km/h. Jo keq apo jo?

Shumë keq. Zakonisht godas me 200 km/h. Ndoshta e kam nga mosha, por falënderoj ata që më vërshëllyen, sepse kështu ndihem më i gjallë. Adrenalina është sekreti sepse të jep shumë energji.

Si ndiheni te Milani?

Kam një rol të madh brenda skuadrës dhe përgjegjësitë janë po aq të mëdha. Kjo situatë më pëlqen dhe më mbush me kënaqësi sepse jam më i madhi i grupit. Është hera e parë në karrierë që gjendem në të tilla rrethana.

Besoni vërtet se mund të fitoni titullin?

Për të fituar në jetë duhet besuar. Që të krijohen kushtet, nevojitet shumë punë, sakrifica dhe besim. Këto janë fjalë kyçe. Mund të jesh kushdo, por nuk arrihen objektivat i vetëm.

Do të jetë Milani klubi ku do të mbyllni karrierën?

Nuk jam fort i sigurt. Kam dëshirë të luaj derisa të më mbajnë këmbët. Nëse nga Milani vendosin të më përzënë, atëherë do të vazhdoj nëse do të ndiej që mund të luaj ende.

158 gola në 180 ndeshje me PSG-në. Mos ju mungon Parisi?

Ata i ka marrë malli për mua do të thosha. Kam kujtime të bukura dhe isha ndër të parët që i besova projektit kur klubi ndryshoi pronar. Jam krenar që isha pjesë e një klubi që pa mua nuk do të ishte bërë kurrë ai që është sot. Në Paris nuk shkova për para apo për qytetin, por për të ndryshuar gjithçka.

A ka sot ndonjë lojtar që ju ngjason?

Jo, nuk ka asnjë. Si Zlatani ka vetëm një.

Si do ta përkufizonit karrierën tuaj?

Jam krenar për faktin që kam mundur të luaj në nivele të larta për thuajse 25 vjet. Vij nga një shtet prej 10 milionë banorësh dhe i kam treguar botës se edhe një futbollist nga Suedia mund të luajë e të bëhet një lojtar i madh.

Cili është sekreti juaj atëherë?

Mendësia. Dua t’u tregoj të gjithëve se mosha është thjesht një numër e që mund të luaj akoma duke bërë atë që dua më shumë. Dua të përmirësohem çdo ditë. E di që nuk bëj dot lojën e disa viteve më parë, por sot jam më i zgjuar dhe kam më tepër përvojë. Nuk habitem fare për rendimentin tim. Jam thjesht më i miri.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *