Ditët e ftohta të dimrit janë në prag, dhe çfarë tjetër më mirë se një supë mund të ngohi tavolinat e juaja!
E lehtë dhe delikate, kremoze dhe e plotë, supa me gështenja është një pjatë e mrekullueshme në shije dhe e pasur me vlera ushqyese për organizmin. Kjo, falë vitaminave dhe kripërave minerale si kalçium, potas, hekur, magnez etj që këto fruta kanë.
Gështenjat janë më të rekomanduarat për personat që kanë komplikacione shëndetësore nga diabeti, anemia, ndihmojnë në uljen e kolesterolit në gjak, mirëfunksionimin e mëlçisë etj.
Shoqërohet me bukë të thekur dhe me sallata të ndryshme të përgatitura me perimet e stinës.
Përbërësit (për 4 deri në 6 persona):
▪ 400 gr gështenja të pjekura dhe të qëruara
▪ 1.6 lt lëng perimesh
▪ 4 lugë vaj ulliri
▪ pak arrëmyshk i grirë në rende
▪ 2 presh të vegjël
▪ 4 gjethe selino
▪ kripë dhe piper
▪ pana për servirje
▪ një grusht i vogël majdanoz të grirë për servirje
Përgatitja:
Pritini gështenjat në një kryq me thikë. Më pas vendoseni në një tenxhere me ujë dhe lëreni të vlojnë. Më pas i kulloni, i vendosni në një enë pjekjeje dhe i piqni në 220 gradë Celsius 20 deri në 25 minuta.
Kur të jenë gati i mbështillni me një peshqir kuzhine dhe i lini të qëndrojnë për disa minuta.
Kaurdisni preshin dhe selinon të grirë në 4 lugë vaj ulliri të ngrohur për rreth 5 minuta. Shtoni gështenjat e grira trashë, i skuqni për një minutë, dhe shtoni lëng perimesh, arrëmyshk, kripë dhe piper.
Lëreni të vlojë, zvogëloni nxehtësinë dhe ziejeni për gjysmë ore. Lëreni supën të ftohet pak dhe më pas imtësojeni në një blender ose mikser.
Shërbejeni me një lugë salcë kosi, majdanoz të grirë dhe pak gështenja të grira hollë.
/Priza.al/