RENEA ka arrestuar një tjetër person të shpallur në kërkim, gjatë kontrollit të banesës së Ardian Çapjas, pas arrestimit të këtij të fundit një ditë më parë. Në pranga ka rënë shtetasi Ardi Çekani, person në kërkim i dënuar me 1 vit e 6 muaj për veprën penale “Dhuna në familje”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Në momentin e kapjes, këtij shtetasi iu gjet dhe një sasi e vogël lëndë narkotike kanabis. Po të njëjtat burime zyrtare shtojnë se gjatë kontrollit të banesës së 53-vjeçarit Çapja, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan edhe 5 radio dhe disa uniforma të ngjashme me ato të policisë.
Forcat RENEA zbarkuan dje në Elbasan duke vënë në pranga Ardian Çapjen, ndërsa kanë shpallur në kërkim nipin e tij Florenc Çapja, pasi dyshohet se urdhëruan vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqiri babë e bir, ngjarje e ndodhur në 2012. Policia thekson se i arrestuari rezulton person me precedent të theksuar kriminal, dhe se dyshohet si një nga autorët e vrasjes së dyfishtë në Elbasan.
Njoftimi
Elbasan/Operacioni policor i koduar “Krasta 2021”.
Në vijim të këtij operacioni, si rezultat i të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi Ardian Çopja, shërbimet e Policisë kanë kapur dhe arrestuar edhe një tjetër person, i cili fshihej në ambientet e banesës së shtetasit Ardian Çopja.
Është vënë në pranga Ardi Çekani, person në kërkim, i dënuar me 1 vit e 6 muaj për veprën penale “Dhuna në familje”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”. Në momentin e kapjes, këtij shtetasi iu gjet dhe një sasi e vogël lëndë narkotike kanabis.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së 53-vjecarit Çopja, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe 5 radio dhe disa uniforma të ngjashme me ato të Policisë.
Mëngjesin e djeshëm, RENEA, DVP Elbasan dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Krasta 2021”, në kuadër të të cilit u vu në pranga Ardian Çopja, i dyshuar si një nga autorët e një vrasjeje të dyfishtë të ndodhur në vitin 2012.
Në banesën e tij, në momentin e kapjes, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri kallashnikov.
Vijon operacioni për kapjen e personit të shpallur në kërkim Florenc Çapja.