Kriza e urisë / Elon Musk: Nëse 6 mld dollarë do ta zgjidhnin problemin e urisë në botë…

Themeluesi dhe shefi ekzekutiv i Tesla dhe SpaceX, Elon Musk vazhdon të qëndrojë në krye të listës për sa i përket njerëzve më të pasur të botës.

Ai së fudmi ka pohuar se do të shiste aksionet e Tesla-s dhe do t’i dhuronte të ardhurat e tij nëse OKB-ja mund të provonte se vetëm një përqindje e vogël e pasurisë së tij mund të shpëtonte dhjetëra miliona jetë.

Musk iu përgjigj komenteve të David Beasley, drejtori i Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, i cili i tha CNN javën e kaluar se një donacion prej 6 miliardë dollarësh nga miliarderë si Musk dhe Jeff Bezos mund të ndihmonte 42 milionë njerëz që vuajnë nga uria. Musk është njeriu më i pasur në botë dhe së fundmi u bë personi i parë në Indeksin e Miliarderëve të Bloomberg që ka një vlerë neto të vlerësuar prej 300 miliardë dollarësh.

Pasuria e Muskut dhe vendet e Ballkanit Perëndimor

Elon Musk nga llogaritjet e fundit të Bloomberg, del të jetë njeriu më i pasur me 311 miliardë dollarë, duke lenë mbrapa rivalët e tij si Jeff Bezos nga Amazon me 195 miliardë dollarë, miliarderin e nga Franca, Bernard Arnault me 167 miliardë dollarë dhe Bill Gates me 136 miliardë dollarë.

Musk është më i pasur se tetë vendet e Ballkanit Perëndimor të marra së bashku. Nga të dhënat e Trading Economics, del se Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i këtyre vendeve është 237.29 miliardë dollarë. Nga kjo llogaritje, Bullgaria është vendi që ka PBB-në më të madhe në rajon me 69.11 miliardë dollarë apo 8,743 dollarë për banor.

Kroacia është vendi i dytë në Ballkan që ka PBB-në më të lartë për banor me 15,204 dollarë me 55.97 miliardë dollarë. Në vend të tretë është Serbia me një PBB prej 52.96 miliardë dollarësh apo 7,193 dollarë për banor.

Larg vendit të tretë është Bosnja e Hercegovina, kur Prodhimi i Brendshëm i saj është 19.79 miliardë dollarë apo 6,077 dollarë për kokë banori.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë vendet që kanë PBB të përafërt. Ku në Shqipëri, PBB për frymë është 5,064 dollarë me total prej 14.8 miliardë dollarë, ndërsa në Maqedoni të Veriut, Prodhimi i Brendshëm për frymë është 5,371 dollarë me një total prej 12.27 miliardë dollarë.

Kosova është vendi i parafundit në Ballkan që ka PBB-në e ulët. Prodhimi i Brendshëm është 7.61 miliardë dollarë apo 4,230 dollarë për banor. Kurse në vend të fundit, nga tetë vendet e llogaritura del të jetë Mali i Zi me një PBB prej 4.78 miliardë dollarë apo 7,293 dollarë për banor.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *