Nga Francesca Scorcucchi – Corriere dellla Sera
Michael Gandolfini, djali i James, dhe seriali “The Sopranos” janë të moshës së njëjtë, titulli që bëri histori televizive, aq i vlerësuar sa fitoi 21 çmime Emmy. Michael praktikisht u rrit në xhirimet e Sopranos. “Më pëlqente të shkoja në xhirime me babin tim si fëmijë, ishte një lojë për mua”, thotë ai, tani që setet janë bërë vendi i tij i punës.
Është mahnitëse ngjashmëria me të atin, i cili vdiq në vitin 2013 gjatë një pushimi në Itali me Michael, atëherë 14 vjeç. Ngjashmëria mes tyre është shumë e dukshme. Megjithatë, nuk ishte vetëm ngjashmëria fizike që e lejoi Michael të merrte rolin e të riut Tony Soprano në “The Many Saints of New Jersey”, film me regji nga Alan Taylor.
Mirëpo, Michael nuk është protagonisti i filmit, skenari i të cilit është shkruar nga autori brilant i serialit origjinal, David Chase. Në fakt, në prequel Toni është thjesht një djalë, brilant, me inteligjencë mbi mesataren dhe një të ardhme të paracaktuar në krimin e organizuar. Për të nisur karrierën e tij kriminale do të jetë xhaxhai i tij Dickei Moltisanti, i luajtur nga Alessandro Nivola, protagonisti i vërtetë i filmit. Megjithatë, pesha e përgjegjësisë në përmbushjen e atij roli ishte për Gandolfini Jr. i madh.
Një operacion i rrezikshëm që keni menduar se duhet ta përballonit vetëm pas shumë hapash të vegjël…
Ishte një audicion i parë dhe më pas një tjetër dhe një tjetër, në fund, pavarësisht nga mëdyshjet fillestare, unë isha plotësisht i dashuruar me Tonin, shumë ndryshe nga versioni i tij i mëparshëm.
Pse nuk donit të interpretonit?
Kisha frikë nga krahasimi. Kisha frikë se mos nuk isha në lartësinë e duhur.
Si të ndryshoi mendja?
Regjisori dhe David Chase ishin të sigurt për zgjedhjen e tyre dhe gradualisht më dhanë besim. Më treguan rrugën, më shpjeguan se nuk duhet të luaja versionin e ri të shefit Tony Soprano. Prepotenca ndaj drejtores së shkollës nuk ishte gjëja e duhur, nuk ishte koha. Toni nuk është ende atje, më thanë.
E keni parë ndonjëherë serialin origjinal?
Jo, fillimisht isha shumë i vogël, pastaj duke u rritur nuk mund ta bindja veten se ishte një ide e mirë të shihja babanë tim të luante rolin e një krimineli.
Por kur morët rolin, megjithatë, para se të xhironit, vendosët ta shikonit atë…
Po, dhe për ta bërë detyrën më të lehtë dhe më pak të rëndë psikologjikisht, i kërkova një grupi miqsh ta shikonin me mua. Kam organizuar mini-maratonë televizive. Më pas, kur isha në shtëpi, pashë episodet që kisha parë dhe mora shënime të dobishme për rolin.
Ndikimi emocional duhet të ketë qenë i madh.
Do të thosha po. Disa sekuenca ishin më të vështira se të tjerat, si kur Toni Soprano është me familjen e tij, me fëmijët e tij, por unë u përpoqa të shijoja udhëtimin, të shijoja krenarinë që ndjeva kur e pashë të shprehte talentin e tij. Ai serial pati një ndikim të madh dhe unë e kuptova atë ndikim veçanërisht në funeralin e babait tim.
Ju pëlqen ta kujtoni atë kohë?
Të gjithë ata njerëz, të huaj që e donin babanë tim përmes Tony Soprano-s, më bënë të kuptoja se sa i rëndësishëm ishte ai serial. Më parë nuk e dija për fenomenin global që kishte.
Jeni bërë aktor për të ndjekur hapat e babait tuaj?
Si fëmijë, shikoja shumë herë Indiana Jones dhe memorizoja çdo batutë përmendësh dhe më pas ia recitoja para babait tim, i cili filmonte me durim gjithçka. Por si fëmijë doja të bëhesha futbollist, isha edhe i talentuar, por theva meniskun dhe pas vdekjes së babait kursi i aktrimit u bë një formë terapie.
Si mendoni se do të ishte ndier babai juaj duke iu shikuar duke interpretuar?
Shpresoj të paktën pak nga krenaria që ndjeva unë duke parë atë që kishte talent të jashtëzakonshëm. Por synimi im, duke qenë pjesë e këtij filmi, nuk ka qenë asnjëherë që të bëj krenar babain tim. Ky film është më shumë se një lidhje poetike mes një djali dhe një babai të humbur. Është historia e origjinës së një bote që shumë e kanë dashuruar.
/Burimi: Corriere della Sera/ Përshtati: Priza.al/