Pronësia mbi tokën ku është ndërtuar depo e ujit në fshatin Kurjan, ka futur në konflikt familjen e Xhemal Xhemalit me Bashkinë e Roskovecit.
Të dyja palët pretendojnë se toka ku është ndërtuar depo e ujit është e tyre, por asnjë nga palët nuk disponon dokumente për pronësinë e saj.
Megjithatë, bashkia e Roskovecit në një rast të paprecedentë, ka demonstruar forcën e shtetit duke terrorizuar familjen e Xhemal Xhemalit, pasi mëngjesin e të martës në prani të forcave Shqiponja, policisë bashkiake dhe inspektorëve të IMT-s, ka ndërhyrë me fadroma për të marrë pronën ku ndodhet depo e ujit.
Por ndërhyrja e fadromave të bashkisë për lirimin e depos së ujit është bërë pa një shkresë zyrtare, por me urdhër verbal nga ana e kryebashkiakes Majlinda Bufi. Këtë gjë e pranoi Inspektori i Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë e Roskovecit, Shkëlqim Plaka.
Nga ana tjetër, Xhemal Xhemali, banor i fshatit Kurjanë, e cilëson të paligjshme ndërhyrjen e bashkisë për të rivendosur një mur rrethues në depon e ujit. Sipas qytetarit, pronar ku është ndërtuar depo e ujit, është e tij, për të cilën pretendon se ka dokumente. Por Xhemal Xhemali akuzon bashkinë dhe kadastrën, se ka bllokuar nxjerrjen e certifikatës së pronësisë së tokës.
Megjithatë, sipas zyrës së Kadastrës në Fier, prona për të cilën janë futur në konflikt bashkia dhe qytetari Xhemal Xhemali, zyrtarisht njihet si pronë ‘shtet’ dhe nuk ka certifikatë pronësie. Ndërkohë, qytetari Xhemal Xhemali, pretendon se prona është e trashëguar nga të partët e tyre, pavarësisht se ende nuk ka certifikatë pronësie.
/Burimi: Syri.net/