Diskutimet dhe provat po flasin gjithmonë e më shumë se Serbia me ndihmën edhe të shteteve të tjera, po orvatet që të ndezë një konflikt të ri në Ballkan për të korrigjuar sipas saj, “padrejtësitë” që ju bënë në vitet ’90-të.
Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, thotë se, prezenca ruse në veri të Kosovës është e përditshme.
Kastrati deklaroi se, ka informacione se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, janë duke rekrutuar mercenarë rusë për t’i sjellë në Veri të Kosovës.
“Prezenca ruse në Ballkan është shumë e qartë. Ne jemi shumë të vetëdijshëm që në Veriun e Mitrovicës, prezenca e njësive ruse nga Rusia dhe Serbia janë të pranishme dhe kjo është e përditshme.
Qëllimi i Rusisë dhe ‘Republika Srpska’ është që të jetë prezente këtu (në Veri) nëpërmjet tensioneve të ndryshme. E shohim edhe situatën në Bosnje, ku kryetari i kësaj republike, Milorad Dodik, ka paralajmëruar se do të ngrejë forcat e veta ushtarake dhe policore për mundësinë e shkëputjes nga federata boshnjake dhe kjo sipas meje, do të ishte një zinxhir edhe tek Veriu i Kosovës”,- tha Kastrati.
“Sipas disa informacioneve që unë i kam me dijeninë e time, Vuçiçit dhe Vulinit, janë duke rekrutuar mercenarë rusë për t’i sjellë në Veri të Kosovës dhe në krye të këtij grupi, është gjenerali Dikoviç, ku sipas detyrave që ai i ka, nëse ndodh një destabilizim në Bosnje, automatikisht njësoj do të fillonte edhe në Veri të Kosovës dhe qëllimi final i Serbisë, është që ta bëjë ‘Serbinë e Madhe’”,- deklaroi Kastrati, për “Klan Kosova”.
Ish-komandanti mes tjerash, tha se, Qeveria duhet të ketë prioritet FSK-në, si dhe mbrojtjen dhe sigurinë e vendit dhe qytetarëve.
/Priza.al/