Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi së bashku me Drejtorin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako janë takuar me kryebashkiakët e vendit si dhe me prefektët e 12 qarqeve. Ata kërkuan bashkëpunimin e drejtuesve të pushtetit vendor për të marrë të gjitha masat për përballimin e pasojave që mund të sjellin reshjet e shiut. Peleshi vuri në dukje faktin se tashmë Shqipëria ka hyrë në zonën e riskut të lartë, në bazë edhe të raportit vjetor të riskut botëror. Ndër të tjera, ministri shprehu falenderime për punën e kryer gjatë periudhës së verës me zjarret, por edhe në rastet e përmbytjeve.
“Ne tani jemi në sezon dhe do përqendrohemi më tepër te menaxhimi i pasojave, sepse nuk është se kemi kohë sot të flasim për shkakun, për parandalimin e përmbytjeve, por gjithsesi investimet edhe puna e përbashkët për të reduktuar riskun më afatgjatë përmes investimeve dhe punës së koordinuar duhet të jetë një paralele që duhet të na shoqërojë vazhdimisht. Sistemi i ringritur ose i rishikuar sot për sot është një Agjenci Kombëtare e Mbrojtjes Civile, e cila funksionon nën varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes që është autoriteti që koordinon të gjitha forcat, të gjitha institucionet që kanë një rol për të luajtur në përballimin e emergjencave. Ajo që nuk duhet të ndodhë në të ardhmen është që një bashki e caktuar duke menduar që sado të agravohet një emergjencë do të vinë ata të emergjencës së Tiranës, do futet ushtria e do ta zgjidhë punën dhe të flejë gjumë, kjo nuk na bën mirë as juve jo e jo që jeni përgjegjës për të kontrolluar dhe mbrojtur komunitetet tuaja, por edhe ne pastaj na bëhet shumë e vështirë të neutralizojmë një emergjencë.Duhet të kemi një reagim të hershëm, duke vënë funksion edhe komunitetin, i cili duhet të ndërgjegjësohet për të lajmëruar në mënyrë që të parandalojmë sa më shpejt emergjencën, në rast se kjo nuk ndodh pastaj përmasa mund të jetë aq e madhe saqë edhe gjithe FA, të gjitha mjetet tona apo të institucioneve të tjera mund të mos mjaftojnë”, u shpreh Peleshi.
/Priza.al/