Ditën e sotme, shoqata e personave me dëmtime të shtyllës kurrizore kanë dalë në një protestë para Kryeministrisë. Ata nuk kanë marrë pagesat e indeksinit dhe pagat që shteti ua jep qytetarëve që u shërbejnë këtyre personave nga periudha 2005-2010. Ata kërkojnë që qeveria t’i parashikojë këto pagesa në buxhetin e 2022 që Ministria e Shëndetësisë të nis shpërndarjen e tyre. Shoqata paralajmëron një padi të re për shtetin shqiptar në Strasburg, në rast se qeveria nuk plotëson kërkesën e tyre.
“Borxhi total që shteti na ka ne është 120 milionë euro. Pra këtë borxh me ndarjen territoriale ia kanë lënë bashkive që të na i japin, por ne mendojmë se është tagër i Buxhetit të Shtetit. Ne i kërkojmë kryeministrit që vendimet ekzekutive të gjykatës ndaj nesh ti parashikojë në buxhetin e vitit të ardhshëm. Flasim në lidhje me pagesat që ne kërkojmë, Ministria e Shëndetësisë i ka kërkuar këto fonde bashkive, tani për këto duhet që kryeminsitri të sensibilizohet dhe të na i japë këto para. Do i lëmë një javë apo dy javë afat dhe do të ndërmarrim hapa të tjerë. Nëse shteti nuk i zbaton vendimet e gjykatës, ne do ti drejtohemi Gjykatës së Strasburgut, atëherë kostot do të ishin më të larta. Unë kam besim te kryeministri Edi Rama, që ai do ta mbajë fjalën, ai është një njeri që e mban fjalën, dhe padiskutim që do ta mbajë premtimin. Një premtim i pambajtur mbetet borxh i pashlyer për të gjithë jetën, ne jemi në hall të madh me jetët tona, ia kaluan buxhetin bashkive me qëllim që të hiqnin barrën e tyre. Ato nuk kanë mundësi që të paguajnë, me 110 mijë lekë të vjetra, askush nuk pranon që të kujdeset për ne. Nuk të ndihmon kush”, tha përfaqësuesi i personave tetraplegjikë.
/Priza.al/