Video/ “Është absolutisht e çmendur”! Kampi sekret në SHBA ku hebrenjtë ruanin nazistët

Një dokumentar i shkurtë gjysmë i animuar i Netflix-it, e zbulon historinë sekrete të ushtarëve hebrenj që i ruanin robërit nazistë të luftës, në tokën amerikane, raporton “The Guardian”.

Si temë shumë e madhe për t’u përfshirë brenda një drame të luftës, filmat për Holokaustin janë zhanër në vete që mbledhin numër potencialisht të pafund të tragjedive të mëdha e të vogla. Historia e mizorisë më masive të shekullit XX vjen me mijëra fusnota që gradualisht zgjerohen nga mediat që e përshkruajnë guximin e parrëfyer dhe të keqen e patreguar.

Regjisorët izraelitë të filmave dokumentarë, Daniel Sivan dhe Mor Loushy, e zgjodhën një rrëfim të tillë, të jashtëzakonshëm, për projektin e tyre të fundit të përbashkët – filmin e shkurtër të Netflix-it, “Camp Confidential” (Kampi sekret), që tërheq vëmendjen për operacionin sekret ushtarak të publikuar së fundmi me redaktime.

“Kur producentët Benji dhe Jono Bergmann na kontaktuan për këtë projekt dhe kur folën për ngjarjen, fillimisht nuk e besuam”, thotë Sivan për Guardian. “Ishte diçka e pazakontë”.

Objekti sekret i vendosur larg në qarkun Fairfaks të Virxhinias veriore, tingëllon si diçka që ka dalë nga shtypi i verdhë: ushtarë hebrenj, shumë prej tyre refugjatë të shkatërrimeve në Evropë, i ruanin robërit nazistë të luftës në një mjedis surrealisht shtëpiak. I njohur si PO Box 1142, objekti strehonte njerëz të famshëm – si mjeshtrin e spiunazhit Reinhard Gehlen dhe shkencëtarin e raketave Wernher von Braun – të cilët u morën në pyetje e që do t’i ndihmonin aleatët për fitoren në Luftën e Dytë Botërore. Por, ata që ishin në krye të bazës ishin gjithashtu të ngarkuar me ruajtjen e një cilësie jetese për të burgosurit, duke na çuar kështu në skena të çuditshme, si p.sh. në një shëtitje në një dyqan me ish-anëtarët e Rajhut të Tretë për të blerë gjëra për gratë e tyre.

I shkatërruar në fund të luftës dhe i varrosur në fshehtësi derisa Shërbimi i Parqeve Kombëtare zbuloi disa mbetje në fillim të viteve 2000, kampi klandestin është paralajmërim për hebrenjtë modernë dhe kujtesë për ata që erdhën përpara tyre.

“Kishim orë të tëra me këto intervista dhe më kujtohet mirë se u tronditëm”, thotë Loushy. “Kisha mornica. Një marrëdhënie e pabesueshme u formua atje midis refugjatëve hebrenj dhe nazistëve që do t’i kishin kapur ata. Askush nuk dinte për këtë dhe njerëzit që i bënë intervistat nuk i thanë gjë askujt. Nuk ua rrëfyen as grave apo fëmijëve. E morën këtë sekret në varr”.

Sivan dhe Loushy patën privilegjin të rrinë me Arno Mayerin dhe Peter Wiessin, dy veteranë të këtij operacioni të çuditshëm, e që mendohet se janë të mbijetuarit e fundit të gjallë në gjendje për të dhënë dëshmi të sakta. Me çiltërsi dhe me pak frikë, të dy burrat e kujtojnë një kontrast të përditshëm që të huton – mes kënaqësisë se i stresonin mysafirët e arrestuar dhe poshtërimit për plotësimin e nevojave të tyre. Në një nga skenat e shumta të paraqitura si animacion, për të shfaqur më mirë kujtesën e tyre, i shohim ushtarë hebrenj tek e përdorin çnjerëzimin e nazistëve kundër tyre – duke e përmbytur një furgon me pluhur nga një fshesë me korrent dhe duke i lënë sadistët të mendojnë se po mbyten me gaz, siç do të bënin ata nëse pozicionet do të ndryshonin. Ish-ushtarakët pretendojnë se kanë pasë autorizime të mëdha, por se i kanë shmangur torturat e drejtpërdrejta për ta fituar besimin e të burgosurve duke e luajtur rolin e mikpritësve në vendin e tyre të ri, në Amerikë.

“Mund të dëgjoni në shumë raste kur ata i pyesin intervistuesit: ‘A është e sigurt kjo? A mund te flasim? A nuk është kjo e censuruar?”, thotë Sivani. “Të gjithëve u është dashur një kohë e gjatë për të kuptuar se po, është e sigurt që të flasin. Kur i dëgjoni audio-kasetat, sapo filluan të flasin e vëren, në të njëjtën kohë, një kombinim krenarie dhe turpi. Nga njëra anë ata mendojnë se kanë grumbulluar informata të rëndësishme dhe se kishin sukses në misionin e tyre. Por, nga ana tjetër, morën pjesë në spastrimin e ish-shkencëtarëve nazistë gjermanë për t’u bërë ata heronj të përsosur amerikanë”.

Siç e shpjegon filmi, është një ironi e hidhur për fatin e Wernher von Braunit, që ishte keqbërës deri në momentin kur qeveria amerikane kuptoi se mprehtësia e tij shkencore mund të vihet në përdorim të mirë. Nën Operacionin “Paperclip”, qindra teknikë nazistë u sollën në Shtetet e Bashkuara dhe u vunë në punë përpara se të kapeshin nga rivalët e Garës Hapësinore të Bashkimin Sovjetik – një bast i rrezikshëm që u shpërblye kur Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin shkelën në Hënë. Por, rehabilitimi i imazhit të von Braunit si arkitekti kryesor i udhëtimit me raketa – medaljet, fotot e buzëqeshura pranë presidentit Kennedy – lanë shije të keqe tek ata që i kujtonin veprat e tij të neveritshme. “Të gjithë e dimë se [von Braun] dinte për Aushvicin dhe se ka marrë pjesë në regjimin nazist”, thotë Loushy. “Shtetet e Bashkuara, duke ia dhënë atij shtetësinë – bashkë me të gjithë shkencëtarët e tjerë – treguan se çfarë ishte me rëndësi për ta”.

A still from Camp Confidential: America’s Secret Nazis

“Arno dhe Peteri janë ndryshe “, shton Sivani. “Ajo që Peteri donte të përcillte ishte dilema nëse mjetet e këqija mund të justifikohen me kauzë të mirë. Ai besonte se kauza ishte e drejtë, por se mjetet për ta arritur atë ishin të korruptuara aq sa nuk ia vlenin. Megjithatë, Arno donte të fliste për Luftën e Ftohtë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, teksa luftimet vazhdonin, misioni i tij ishte të niste luftën kundër rusëve. Ishte fakt se ShBA-ja tashmë kishte vënë në shënjestër një armik të ri, ndaj është për brengosje të shohësh se sa fluid është ndryshimi i armiqve. Ai që dikur ishte mik dhe aleat, tashti është burimi i të gjitha të këqijave. Dhe, këta nazistë, të cilët ishin kulmi i së keqes, papritmas u bënë miqtë tanë më të mirë”.

Filmbërësit e shohin këtë kapitull të së shkuarës si eksperiment moral me një rrezatim të madh në të tashmen, teksa e peshojnë pragmatizmin e interesit kombëtar me mëkatin e spastrimit. A e zëvendëson një koalicion efektiv mandatin për t’i mbajt nazistët përgjegjës për veprimet e tyre? As Sivani e as Loushy nuk janë të bindur.

“Personalisht besoj se e keqja është e keqe dhe mos mendoni se ndër vite mund ta ndryshoni këtë”, thotë ai. “Njerëzit që marrin pjesë në vrasje masive, edhe nëse nuk ishin fizikisht pjesë e saj, ishin në mbështetje të asaj”.

“I sheh këta refugjatë hebrenj që kanë ikur nga Evropa disa vjet vite më parë, të gjithë familjarët e tyre të vrarë në Holokaust dhe tash ata duhet ta krijojnë një marrëdhënie me nazistët?”, shton Loushy. “Është tamam çmenduri. Tekefundit, ka një vijë e kuqe për arsyen. Nazistët kryen krime kundër njerëzimit”.

Me aktivitetin e brendshëm nazist dhe paranojën ruse që u rritën nën Trumpin, janë të qarta rezultatet e këtij mësim brutal të shkencave sociale: nuk na shpijnë askund tendencat e këqija për t’i anashkaluar shkeljet për hir të dobisë politike. Jemi duke i përsëritur gabimet e gjeneratave të mëparshme, duke e bërë atë që është e dobishme kundrejt asaj që është e drejtë, e duke i lënë në harresë shpirtrat civilë të zënë mes zjarrit, si të braktisur ose të injororuar. Mayer dhe Weiss flasim për kujtimet e tyre me shpresën se mund ta thyejmë këtë cikël dhe t’i mbajmë udhëheqësit tanë në një standard më të lartë njerëzor.

“Kjo nuk është histori e së kaluarës”, thotë Sivani. “ShBA-ja po bashkëpunon sot me një mori regjimesh të errëta, me Izraelin gjithashtu. Nëse sheh kudo nëpër botë, në Evropë apo në Azi, të gjithë punojnë me tiranë dhe me njerëz që kanë gjak në duart e tyre. Gjithmonë për ‘interesin kombëtar’. Kjo nuk është histori për gjërat e tmerrshme që ndodhën në vitet 1940. Sepse, nuk kemi nxjerrë mësime nga kjo”.

/Burimi: The Guardian/ Përshtati: Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *