Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë paralajmëroi sot se normalizimi i politikës monetare, i kuptuar si tërheqje graduale e stimujve dhe rritje e normave të interesit, pritet të nisë gjatë tremujorëve në vijim.
Në deklaratën pas mbledhjes së sotme, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se materializimi i skenarit bazë, ai i konsolidimit të mëtejshëm të rimëkëmbjes dhe forcimit të presioneve të brendshme inflacioniste, do të kërkojë normalizimin gradual të politikës monetare gjatë tremujorëve në vijim.
Guvernatori, Gent Sejko, përsëriti sot se, në skenarin bazë, Banka e Shqipërisë pret që vala aktuale e rritjes së çmimeve të jetë kalimtare, megjithatë duket se ajo do të ketë një ndikim në rishikimin e politikës monetare dhe në një tërheqje të stimujve pak më herët nga sa parashikohej.
“Efekti i goditjeve të ofertës në inflacion pritet të jetë i pranishëm dhe gjatë tremujorit aktual dhe gjysmës së parë të vitit të ardhshëm, e të vijë në shuarje gjatë periudhës në vazhdim. Ky gjykim bazohet në konsensusin e analizave të institucioneve ndërkombëtare dhe pritjet e tregjeve. Sipas këtij konsensusi, çmimet e naftës, të energjisë dhe të produkteve ushqimore, pritet fillimisht të stabilizohen e më pas të reduktohen gjatë vitit 2022, çka do të zvogëlojë presionin mbi kostot e prodhimit në vend dhe çmimet e konsumit.Përkundrejt tyre, presionet e brendshme inflacioniste kanë shfaqur një dinamikë rritëse, por graduale dhe ende të përmbajtur. Kjo dinamikë pasqyron zgjerimin ende të pamjaftueshëm të punësimit, të pagave dhe të kostove të prodhimit, si dhe pritjet për inflacion të moderuar nga bizneset dhe tregjet financiare,” tha Sejko.
Duke filluar nga tremujori i parë i vitit të ardhshëm, Banka e Shqipërisë pritet të ndërpresë formën aktuale të ankandeve për marrëveshjet e anasjellta të riblerjes, që siguron akses të pakufizuar në likuiditetet të bankave tregtrare. Kjo formë u adoptua menjëherë pas shpërthimit të pandemisë, ndërsa Banka e Shqipërisë ka vendosur ta mbajë në fuqi edhe pas përmirësimit gradual të situatës ekonomike. Guvernatori argumentoi se gjendja e likuiditetit të sektorit bankar është e përmirësuar dhe forma aktuale e injektimit të likuiditetit nuk do të jetë më e domosdoshme që nga fillimi i vitit të ardhshëm.
Guvernatori u shpreh optimist për perspektivat e ekonomisë shqiptare dhe nënvizoi se pasojat aftgjata të pandemisë në ekonomi do të jenë të dobëta. Sipas tij, informacioni indirekt i disponuar sinjalizon një zgjerim të mëtejshëm të rritjes ekonomike gjatë tremujorit të tretë.
“Rimëkëmbja e aktivitetit ekonomik është mbështetur nga reduktimi i masave kufizuese, rritja e besimit, përmirësimi i ambientit të huaj, si dhe politikat stimuluese ekonomike.
Kjo rimëkëmbje ka pasur një bazë të gjerë. Në terma të kërkesës agregate, ajo pasqyroi rritjen e konsumit dhe të investimeve private, zgjerimin e eksporteve të mallrave e të shërbimeve, si dhe kontributin pozitiv – ndonëse në rënie – të stimulit fiskal. Në terma sektorialë, ajo pasqyroi rritjen e thuajse të gjithë sektorëve e degëve të prodhimit e të shërbimit, me përjashtim të atij bujqësor. Zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime ka mundësuar rikthimin e aktivitetit ekonomik në nivelet e shënuara para tërmetit dhe pandemisë. Ky rikuperim, prezent si në nivel ekonomie ashtu dhe në nivel sektorial, sugjeron se potenciali prodhues i vendit ka mbetur relativisht i paprekur nga goditjet dhe se pasojat afatmesme dhe afatgjata të tyre në ekonomi do të jenë relativisht të ulëta,” tha ai.
Megjithatë, ai theksoi se rimëkëmbja ekonomike ka pasur një pasqyrim të pjesshëm në tregun e punës. Ndonëse norma e papunësisë zbriti në nivelin 11.6% në tremujorin e dytë, ajo mbetet ende larg niveleve të regjistruara përpara pandemisë. Sipas Sejkos, rikuperimi më i ngadaltë i punësimit dhe pagave është një fenomen i njohur në procesin e rimëkëmbjes.
Banka e Shqipërisë parashikon se ekonomia do të regjistrojë rritje të lartë për vitin 2021, ndërsa do të ruajë norma rritjeje më të ulëta, por të qëndrueshme gjatë viteve në vijim. Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se materializimi i skenarëve të rrezikut do të kërkojë një rishikim të qëndrimit të politikës monetare, duke e afruar në kohë dhe përshpejtuar procesin e normalizimit të politikës monetare, apo duke e shtyrë në kohë dhe ngadalësuar atë.
Në mbledhjen e sotme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5% dhe të lerë të pandryshuara normat e interesit të depozitave dhe të kredive njëditore, respektivisht në nivelet 0.1% dhe 0.9%.
/Burimi: MONITOR/