Ditën e sotme Britania njoftoi se ka miratuar pilulën e parë kundër Covid-19 të quajtur ‘Molnupiravir’ e cila do të merret dy herë në ditë nga pacientët më të rrezikuar.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i shtetit shqiptar ndaj kësaj risie. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë një intervistë në emisionin Real Story, ka bërë të ditur se krahas vaksinave, Shqipëria së shpejti pritet të sigurojë dhe tabletat Molnupiravir të prodhuara nga kompania Merck.
“Shpenzimet e COVID-it në të gjithë botën janë të larta. Sa herë që burimi është PD, nuk është i besueshëm. Format e rënda të koronavirusit duhet të trajtohen në spital, ku mund të marrin dhe trajtimet falas. Nëse duan ti paraprijnë spitalet, duhet të ndjekin protokollet e dhëna nga mjekët e familjes. Duhet ndjekur mjeku i familjes që të jep barnat dhe që disa janë falas që i rimburson falas. Tashmë Britania e Madhe ka miratuar ilaçin e parë kundër koronavirusit. Kemi kontaktuar menjëherë me Merk-un. Kemi kontaktuar, kemi marrë në kontakt me Pfizer që po prodhon një barnë të re kundër koronavirusit. Do të jenë një mbështetje për vaksinat dhe trajtimet dhe reduktimin me 50% të fazave të rënda. Kemi krijuar mundësinë dhe transportin direkte. Me anë të një instrumenti të BE-së për sigurimin e barnave, të jemi dhe ne me këtë listë që të sigurojmë këto barna. Ne e blemë Remdesivirin përmes një instrumenti të Bashkimit Europian” – tha Manastirliu.
‘Molnupiravir’ ilaçi i parë anti-Covid
Testimi me tri faza përfshiu 775 pacientë të rritur në rrezik e të pashtruar në spital, me simptoma të buta deri të moderuara. Një analizë paraprake zbuloi se ilaçi reduktoi në mënyrë domethënëse rrezikun e vdekjes apo të shtrimit në spital.
Kompanitë bënë të ditur se 7.3% e pacientëve të trajtuar me molnupiravir u shtruan në spital brenda 29 ditëve, krahasuar me 14.1% pacientëve të trajtuar me placebo.
Asnjë nga pacientët që morën molnupiravir nuk vdiq, krahasuar me tetë vdekje midis pacientëve që u trajtuan me placebo.
Të gjithë pjesëmarrësit në testim kishin të paktën një faktor rreziku – si obezitet, sëmundje zemre, moshë të vjetër – çka e bënte të mundshme që të degradonin në raste të rënda të Covid-19, bënë të ditur kompanitë.
Merck dhe Ridgeback thanë se molnupiravir shfaqi efikasitet të vazhdueshëm kundër varianteve Delta, Gamma dhe Mu të coronavirusit.
/Priza.al/