Mund të tingëllojë absurde që shqiptarët të bëjnë spiunazh në Greqi, por ja që ka ndodhur… Edhe pse që prej 1997-ës, por edhe më herë Greqia është prezente në Shqipëri, si me forca të armatosura ashtu edhe me të gjitha agjencitë dhe bizneset e saj. Madje tashmë vendi ynë është anëtar i NATO-s si edhe Greqia, në një kohë që kjo e fundit me rotacion javor kontrollon me avionët e saj luftarak edhe hapsirën ajrore shqiptare.
E megjithatë, frika nga shqiptarët duket se nuk i mungon fqinjit tonë Jugor.
Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar nga autoritetet greke nën akuzën e spiunazhit në bashkëpunim, duke shënuar rastin e parë të këtij lloji që nga fillimi i viteve ’90-të.
Policia greke në një komunikatë sot, tha se dy burra me origjinë shqiptare, u arrestuan pasi akuzohen se kanë fotografuar dhe regjistruar pamje filmike në objektet e repartit ushtarak në malin Egaleo.
Sipas dosjes së çështjes, pasditen e 28 tetorit, dy personat hynë në kampin e artilerisë “Major Stefanaki” dhe më pas bënë video dhe foto nga impiantet ushtarake.
Një toger në detyrë i pa dhe u kërkoi të ndalonin. Njëkohësisht ai ka njoftuar menjëherë policinë, e cila ka sjellë një grup të gatshëm, për të kapur dhe prangosur të dyshuarit.
Zyrtarët ushtarakë kanë deklaruar se, pasi policia ndaloi dy të dyshuarit, në një kontroll në objektin ku ishin akomoduar, konstatoi se ata kishin filmime me kamera të objekteve luftarake greke, përfshirë armatime të ndryshme.
Mësohet se dy shqiptarët, kanë kërkuar mbrojtje ligjore me avokatë. Mbrojtësit ligjorë të dy të pandehurve deklaruan se, ishte “një shëtitje e rastësishme në një vend ku nuk ka rrethim, apo shënjim të hapësirës ushtarake”.
Megjithatë autoritetet thanë se, janë duke proceduar penalisht dy të dyshuarit për spiunazh.
/Priza.al/