Njerëzit që vuajnë rregullisht nga dhimbjet e kokës apo migrena, e dinë mjaft mirë rolin e ushqyerjes apo stresit në frekuencën dhe ashpërsinë e tyre. Një faktor tjetër, shpesh i anashkaluar, është ndryshimi i stinës.
Shumë njerëz thonë se me ardhjen e vjeshtës, dhimbjet e kokës bëhen më të shpeshta dhe më të forta. Ky nuk është thjesht një perceptim, sepse shkencëtarët pohojnë që ka disa arsye përse dhimbjet e kokës bëhen më të forta në vjeshtë.
Prania e alergenëve në Ajër
Alergenët janë ndër shkaktarët më të përhapur të migrenës dhe dhimbjeve të kokës.
Në vjeshtë, ka alergenë të caktuar në ajër që ndikojnë në sasinë e histaminës në trup, e cila në vetvete shkakton inflamacion në sinuse dhe nxit dhimbjen e kokës.
Për këtë arsye, ekspertët këshillojnë që ajri i shtëpisë të jetë sa më i pastër dhe ndërresat të jenë të pastra dhe të një materiali që lejon qarkullimin e ajrit.
Ndryshimet në ciklin e dritës
Dhimbjet e kokës mund të jenë më të shpeshta në vjeshtë për shkak të shkurtimit të ditës dhe ndryshimeve në rutinën e gjumit.
Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që të zbatoni një rutinë shumë të përpiktë gjumi pavarësisht mungesës së dritës apo tejzgjatjes së errësirës.
Faktorë të tjerë nxitës të dhimbjeve të kokës
Veç dritës, dy faktorë të tjerë nxitës të dhimbjeve janë presioni i ajrit, lagështia dhe luhatjet e temperaturës.
Ndryshimet e motit mundet gjithashtu të prishin ekuilibrat e substancave kimike në tru, përfshirë serotoninën, gjë që nxit shfaqjen e migrenës.
Monitorimi i ndryshimeve të motit dhe shmangia e shkaktarëve sa më shumë që të jetë e mundur, është këshilla e parë që japin ekspertët.
Sipas tyre, njerëzit e predispozuar të përjetojnë dhimbje të tilla, duhet të marrin ilaçin që në shenjat e para të dhimbjes.
Një stil i shëndetshëm jetese, pra me ushqyerje të rregullt e të pasur me vitamina, minerale e antioksidantë, pirja e ujit, aktiviteti fizik dhe gjumi i mirë, janë faktorë që ju ndihmojnë në lehtësimin e këtyre dhimbjeve.
/Burimi: AgroWeb.org/