Nuk ka më ulje të numrave në kroskot! Te kolaudimi, vjen ‘spiuni’ që tregon manipulimet me kilometrazhin e makinës  

Për vite me radhë shqiptarët i kanë blerë kryesisht autoveturat me thëniet nga tregtarët “e ka pasur një avokate, e përdorte për të shkuar në punë…! E ka pasur një doktor, lëvizte shumë pak”.

Por edhe pse e dinin fare mirë ose kishin dëgjuar, shqiptarëve u pëlqenin mashtrime të tilla nga matrapazët e automjeteve, në një kohë që nuk e kuptonin se përse mekanikët dhe ofiçinat shtoheshin nga do si kjoska.

Por tani, të gjitha makinat që kalojnë Kontrollin Teknik do të kenë të shënuar në certifikatë edhe kilometrat reale të tyre, duke shmangur kështu manipulimet që janë bërë nga tregtarët gjatë këtyre viteve.

Aktualisht është praktikë që makinave iu ulen kilometrat, pasi importohen nga vende si Italia, Gjermania apo Zvicra, me qëllim rritjen e çmimit të tyre duke manipuluar kështu blerësin.

“Përmes sistemeve të reja mbi verifikimin e mjeteve, rezervon të drejtën të gjejë dhe nxjerrë kilometrazhin e vërtetë për mjetet rrugore të importuara, me kilometra, nëse ka mospërputhje me statusin e tyre në kolaudimin e parë në Shqipëri, sikurse të kërkojë nga homologët e huaj informacion në kohë reale, mbi statusin më të fundit të odometrit”,- njofton Drejtoria e Shërbimit të Tranportit Rrugor në faqen e saj.

Praktika do të fillojë nga janari i vitit të ardhshëm dhe Certifikata e Kontrollit Teknik do të ketë edhe historikun e kilometrazhit të makinave.

Njoftimi i DSHPTRR-së:

Leximi i odometrit tashmë përfshihet në Certifikatën e Kontrollit Teknik të mjeteve rrugore! Kilometrazhi në momentin e kolaudimit, verifikimi me fishë për mjetet me të dhëna digjitale dhe skanimi i kroskotit janë sot pjesë PA PAGESË e shërbimit!

Kjo risi sjell dokumentimin e kilometrazhit, dekurajimin e spekullimeve në treg, nxitjen e mbajtjes së librave të shërbimit (nga autoriparues të ligjshëm) dhe mbrojtjen e konsumatorit, blerësit, sikurse frenojmë hyrjen në vend të mjeteve të tejamortizuara!

KUJDES: DPSHTRR përmes sistemeve të reja mbi verifikimin e mjeteve rezervon të drejtën të gjejë dhe nxjerrë kilometrazhin e vërtetë për mjetet rrugore të importuara, me kilometra, nëse ka mospërputhje me statusin e tyre në kolaudimin e parë në Shqipëri, sikurse të kërkojë nga homologët e huaj informacion në kohë reale mbi statusin më të fundit të odometrit!

Mjeteve rrugore që rezultojnë me ULJE KILOMETRAZHI do t’u shënohet në certifikatën e kolaudimit statusi real!

Nga janari 2022 në Certifikatën e Kolaudimit do të kemi edhe format historiku kilometrazhi!

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *