Lobim deri ‘lart’…/ Ministria e Financave tërhiqet para kompanive vendase, nuk e takson qumështin pluhur, por çmimet vijojnë rritjen  

Kompanitë shqiptare të prodhimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, të cilat janë edhe karteli që ka rritur vazhdimisht çmimin e bulmetit dhe qumështit në tregun vendas të pakicës, fituan edhe një tjetër betejë ndaj shtetit, për të mbajtur të paprekura fitimet e deritanishme.

Kompanitë private vendase duket se kanë përfituar edhe një herë nga lidhjet e tyre me qeverinë dhe politikën. Taksat e parashikuara për t’ju vendosur disa prej produkteve apo lëndëve të para që ata përdorin, duket se nuk do të vendosen nga qeveria.

Kompanitë si “Lufra”, “Erzeni” dhe të tjera si këto që merren me prodhimin dhe tregtimin e nënprodukteve të qumështit dhe vet atij, janë edhe importueset më të mëdha të qumështit pluhur në vend.

Por ministria e Financave dhe Ekonomisë falë edhe ndikimit të pronarëve të tyre, ka ndryshon paketën fiskale 2022 pas takimeve konsultative me shoqatat e biznesit, Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë-Tiranë dhe sipërmarrës të prodhimit vendas.

Ndryshimet janë reflektuar në projektligjin “Për taksat kombëtare” që vendos taksë për qumështin pluhur që përdoret për tregti në vlerën 100 lekë për kg.

Në draftin e publikuar faqen e Kuvendit të Shqipërisë është shtuar neni 4 i cili përjashton nga pagimi i taksës për qumështin pluhur, taksës për hirrë qumështi dhe taksës për krem qumështi fabrikat e prodhimit me etiketë të miratuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU). Një tjetër ndryshim është edhe vendosja e taksës për pijen e homogjenizuar (barista) në vlerën 16 lekë për litër.

Vendosja e taksës kombëtare 16 lekë/litër për pijet e homogjenizuara (barista)  dhe përjashtimin nga pagesa e kësaj takse të gjitha fabrikat e përpunimit të produkteve të qumështit apo edhe produktet e tjera për qumësht pluhur, krem qumështi, hirrë qumështi të cilat kanë kartat teknologjike të produktit fundor me përbërje qumësht pluhur u propozuan nga DHTIT në ndihmë të sektorit të përpunimit të qumështit pas prezantimit të paketës fiskale që me heqjen e TVSH-së 6% dhe vendosjen e taksës për qumështin pluhur penalizonte industrinë.

Kryetari i Dhomës të Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë (DHTIT), Nikolin Jaka pohoi për Monitor se ndryshimet e miratuara nga Ministria e Financave ndihmojnë prodhimin vendas.

“Ndryshimet në draftin “Për taksat kombëtare” vijnë pas debatit të shoqatave të biznesit, Dhomës të Tregtisë dhe Industrisë dhe përfaqësues të industrive me Ministrinë e Financave për paketën fiskale 2022. Ndryshimet e propozuara së fundmi e ndihmojnë prodhuesin vendas”.

Paketa e re fiskale e prezantuar fillimisht nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë me grupet e interesit shkaktoi debate dhe pakënaqësi te sipërmarrësit. Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, DHTIT, Shoqata e Përpunuesve të Qumështit dhe kompani prodhuese të çimentos pohuan se ndryshimet e propozuara penalizojnë prodhimin vendas, do të shtojnë fluksin e mallrave të importit dhe do të rrisin çmimet e produkteve ushqimore deri 30%.

Nga DHTIT në mbështetje të sektorit të qumështit  ndër të tjera është propozuar:

-Fabrikat e përpunimit të qumështit, etiketën e produktit duhet ta kenë të miratuar nga Agjencia e Kontrollit Ushqimor AKU, sipas kartës teknologjike.

-Të paguhet taksë kombëtare 15 lekë/litër për të gjitha produktet e qumështit që importohen në Shqipëri, ku përbërja e tyre të rezultojë më pak se 95% qumësht lope.

-Të paguhet taksë kombëtare 150 lekë/kg për të gjithë sasinë e kremit të qumështit që importohet në Shqipëri.

-Të paguhet taksë kombëtare 150 lekë/kg për hirrë qumështi që importohet në Shqipëri.

-Të paguhet taksë kombëtare 16 lekë/litër për pijet e homogjenizuara (barista)

Me paketën e re u propozua heqja e TVSH-së të rimbursueshme nga 6% që është aktualisht për agroindustrinë bujqësore. Parashikohet që skema e rimbursimit të TVSH-së të zëvendësohet me skema subvencionuese, por ende nuk është prezantuar projekt konkret.

Ndryshimet fiskale propozojnë edhe vendosjen e akcizës për gazin 6 lekë/litri nga zero që është aktualisht. Mbështetur në rekomandimit e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) është propozuar heqja e rimbursimit për lëndët djegëse të cilat përdoren për nevoja teknologjike për sektorë, si: farmaceutika, tullat, çimento, birra dhe nafta bruto.

Projektligji “Për Tatimin Mbi Vlerën e Shtuar”, përjashton nga TVSH-ja për importimin e makinerive dhe pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë të barabartë ose më të madhe se 500 milionë lekë nga 50 milionë lekë që është aktualisht.

/Priza.al/

 

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *