Gazetari Dritan Hila disa ditë më parë postoi një foto të një prej tuneleve të Unazës së Madhe. Përmes një postimi në Facebook ai shtroi edhe shqetësimin e qytetarëve që pse në çdo tunel është gdhendur emri i kompanisë ndërtuese kur rrugët janë ndërtuar me taksat tona. Ndër të tjera, ai tha se më shumë ka ura e tunele me emër Salillari sesa rrugë e sheshe me emër Skënderbeu.
“Mund të më thoni me çfarë të drejte në gjithë tunelet e unazës ky zotëria gdhend emrin e fisit te tij në një vepër të bërë me paratë e mia?! Më shumë ka ura e tunele me emër Salillari sesa rrugë e sheshe me emër Skënderbeu“, tha gazetari Hila.
Pas revoltës në rrjetet sociale dhe shkrimit të analistit Dritan Hila, është hequr emri i kompanisë “Salillari” në një prej tuneleve të Unazës së re. Firma “Salillari”, në pronësi të biznesmenit Pellumb Salillari, ka marrë të drejtën për të ndërtuar këtë nyje të rëndësishme në Tiranë.
Gjatë këtij viti, me vendim qeverie, i janë shtuar plot 3 milionë dollarë në llogari për rishikim të projektit “Mbikalimi Pallati me Shigjeta-Rrethrrotullimi Shqiponja Loti 2”. Por ndërsa kanë marrë këto para shtesë, nuk dihet nëse kanë pasur sy të shohin problemin më të madh që kanë pasur, atë të tunelit që të sjell në Tiranë, ku janë bërë disa aksidente.
Pas heqjes së emrit ai reagoi sërish duke thënë se demi duhet kapur prej brirëve në mënyrë që fjala e qytetarëve të dëgjohet.
Pasi Salillari hoqi emrin, kompanitë Albavia Shpk dhe Geci Group e kanë vendosur logon tek segmenti nga mbikalimi i Farkës deri te Materniteti i Ri.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku e inaguroi këtë segment para 1 jave, por nuk bëri të ditur nëse ndërtimi i këtyre segmenteve ishte dhuratë nga 2 kompanitë apo janë ndërtuar falë taksave tona.
Nëse është dhuratë atëherë ndoshta do të ishte mëse e drejtë marketingu që ata kanë bërë, por nëse ata janë paguar pse duhet që emri i tyre të përdoret në këtë segment? Nëse konfirmohet se segmenti nuk është dhuratë, ‘Priza.al’ ju bën thirrje autoriteteve përkatëse që të merren masa dhe që emrat duhet të fshihen menjëherë njësoj si me rastin Salillari.
/Priza.al/