Të fitosh para në Shqipëri është bërë mjaftë e vështirë, sidomos kur bën një biznes të paligjshëm. Por të fitosh para në Gjirokastër, madje duke hapur lloto dhe kazino, kjo do të dukej e pamundur për shumë njerëz.
Por një i ri 28-vjeçar nga Tepelena duket se ka qenë tepër i guximshëm dhe e ka parë Gjirokastrën si një “minierë parash” kur vendosi që të hapte në të një “lloto -kazino”, në një ambient që fillimisht e mori me qira për “bar-kafe”.
Por nuk ka qenë e thënë… Policia e Gjirokastrës e ka vënë në pranga 28-vjeçarin, banues në Tepelenë, pasi nga kontrolli i ushtruar në ambientin “Bar-Kafe-së”, të administruar prej tij, në rrugën “Studenti”, u konstatua se ushtronte veprimtarinë e lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin, si dhe ky subjekt ushtronte aktivitetin pa u regjistruar në organet përkatëse.
Si rezultat i operacionit policor u sekuestruan një tavolinë pokeri, dy telefona, 160 000 lekë, 170 euro dhe letra bixhozi.
“Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të ushtrimit të paligjshëm të lojërave të fatit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Gjirokastër, arrestuan në flagrancë shtetasin M. K., 28 vjeç, banues në Tepelenë.
Shtetasi M. K. u arrestua pasi, nga informacionet e siguruara në rrugë policore dhe nga kontrolli i ushtruar në ambjetin “Bar-Kafe”, të administruar prej tij në rrugën “Studenti”, u konstatua se ushtronte veprimtarinë e lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin, si dhe ky subjekt ushtronte aktivitetin pa u regjistruar në organet përkatëse.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një tavolinë pokeri, dy telefona, 160 000 lekë, 170 euro dhe letra bixhozi”, njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprat penale “Organizim i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara” dhe “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore”.
/Priza.al/