Analisti politik Dushan Janjiç thotë se Serbia paguan 100 mijë dollarë në muaj për ish-të dërguarin e SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
“Grenell ishte i dërguar special për dialogun në kohën sa ishte në pushtet presidenti Donald Trump, por edhe pas largimit të tij, Grenell ka vazhduar të lobojë për interesat e Serbisë”, shkruan portali malazez Antena M.
Janjiç ishte i ftuar në emisionin “Linjë e ndryshme e radios” dhe tema ishte lobimi politik. Ai u pyet a paguan presidenti serb Aleksandar Vuçiç për lobim, përgjigja ishte që “dihet që po, por nuk ka transparencë mbi shumat”. Aty analisti përmendi Grenellin.
“Ne madje i paguajmë edhe Grenellit 100 mijë dollarë në muaj, nuk e di pse vazhdojmë kur shefi i tij nuk është më në pushtet”, tha Janjiç.
Grenell pas largimit të Trumpit nga pushteti në shumë raste ka vijuar me deklarata politike dhe po ashtu ka zhvilluar aktivitete me komunitetin serb në SHBA. Përmes Twitterit në shumë raste, ai kritikon Kosovën, e sidomos kryeministrin e saj, Albin Kurti.
Dy ditë më parë, mediat afër Berishës përhapën një shkrim te Grenell ku ky lëvdonte Berishën dhe akuzonte sekretarin amerikan të shtetit Blinken. Por Janjiç vlerëson se Serbia po vazhdon të lobojë sipas mënyrës së vjetër dhe pa produktivitet.
“Lobimi është i shumë i organizuar, por çuditërisht dhe për fat të keq askush nuk ka ndryshuar gjë nga koha e Slobodan Miloshevicit. Matricat dhe agjencitë janë të njëjta. Sot duhet lobim më serioz”, vlerësoi analisti, i cili është edhe drejtues i “Forumit për Marrëdhënie Etnike.
/Priza.al/