Ndryshimet klimatike, Obama sulmon Rusinë, Kinën dhe Trumpin: Progresi ngeci kur pasardhësi im u tërhoq nga marrëveshja

Ish-presidenti Barak Obama rikthehet në skenën globale, duke marrë të gjithë vëmendjen në samitin e klimës në Glasgou të Skocisë, Cop 26. Ai u përpoq të bindte botën se Amerika vijon të jetë serioze lidhur me luftën kundër ngrohjes globale.

Në një fjalim politik, ku theksoi urgjencën për ndërmarrjen e masave, Obama shprehu keqardhje për mosveprimin e Trump ndaj ndryshimeve klimatike.

“Sigurisht që progresi i shënuar nga Shteteve të Bashkuara ngeci kur pasardhësi im vendosi në mënyrë të njëanshme të tërhiqet nga marrëveshja e Parisit për klimën. Nuk isha shumë i lumtur mbi këtë fakt”.

Me synimin për të rritur kredibilitetin, Obama e vuri theksi te progresi i shënuar në SHBA, edhe pa lidership në Shtëpinë e Bardhë.

“Vetëm në SHBA, më shumë se 3 milionë njerëz punojnë në industri që lidhen me energjinë e pastër. Numri është më i lartë se ai i njerëzve të punësuar në industrinë fosile. Pra, pavarësisht 4 viteve armiqësi drejt shkencës së klimës nga qeveria jonë federale, populli ynë arriti t’i përmbahej angazhimit në marrëveshjen e Parisit”.

Kritika Rusisë dhe Kinës

Obama tha se udhëheqësit botërorë “nuk kanë bërë sa duhet” për të trajtuar krizën klimatike. Ai fajësoi rivalët amerikanë Kinën dhe Rusinë për atë që ai e quajti një “mungesë të rrezikshme urgjence” në uljen e emetimeve të gazrave që shkatërrojnë klimën.

Ish-presidenti Obama tha se shumica e vendeve nuk arritën të përmbushin angazhimet e marra në marrëveshjen Parisit të vitit 2015 për klimën.

“Shumica e vendeve kanë dështuar të jenë ambicioze sa duhet. Angazhimet që u ndërmorën në Paris gjashtë vjet më parë nuk janë realizuar në mënyrë uniforme. Më duhet të pranoj se, ishte veçanërisht shkurajuese të shihja drejtuesit e dy prej emetuesve më të mëdhenj të gazit në botë, Kinës dhe Rusisë, të refuzonin të merrnin pjesë në samit. Dhe planet e tyre deri tani pasqyrojnë atë që duket të jetë një mungesë e rrezikshme dhe një vullnet për të ruajtur status quo-në”, tha Obama.

Ish-presidenti u kërkoi të rinjve të qëndrojnë të mos e humbin zemërimin në luftën kundër ndryshimeve klimatike, dhe të ushtrojnë trysni politike për të sjellë ndryshim. Bota nuk është askund, atje ku duhet të jetë për të shmangur një katastrofë klimatike, paralajmëroi Obama.

Kina është emetuesi më i madh i gazit të karbonit në botë. Në një deklaratë për konferencën javën e kaluar, presidenti kinez Xi Jinping u bëri thirrje vendeve të tjera që të “rrisin bashkëpunimin” dhe të veprojnë për objektivat klimatike, por vetë Xi, nuk ndërmori asnjë angazhim të ri.

Shtetet e Bashkuara janë emetuesi i dytë më i madh i gazrave që shkaktojnë efektin serrë pas Kinës.

Sondazhet e opinionit sugjerojnë se në të gjithë globin, shumica dërrmuese e njerëzve e shohin ndryshimin e klimës si një emergjencë që kërkon veprime radikale. Por disa sondazhe në javët e fundit kanë sugjeruar gjithashtu se kur njerëzve u thuhet se cilat mund të jenë kostot për ta frenuar ngrohjen globale, ata ngurrojnë të mbajnë mbi supe barrën financiare.

/Burimi: BBC/ Përshtati: Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *