Këngëtarja Anxhela Peristeri do të ngjitet në skenën e ‘Eurovision-it’ në natën e dytë, më 20 maj dhe do të jetë e 11-ta në radhë për të kënduar. Renditja është caktuar nga transmetuesi NPO/NOS/AVROTROS dhe është aprovuar nga Mbikqyrësi Ekzekutiv i Eurovision, Martin Österdahl.
Shqipëria do përfaqësohet nga Anxhela Peristeri me këngën ‘Karma’, me tekst të Olti Currit dhe muzikë të Kledi Bahitit. Mësohet se Anxhela ka vendosur t’i qëndrojë versionit shqip të këngës, duke ndryshuar vetëm disa detaje të vogla.
Ndërsa përsa i përket performancës, ajo ka bërë të ditur se do të bashkëpunojë me koreografen e njohur suedeze, Sacha Jean-Baptiste.
Eurovisioni do të mbahet në Rotterdam të Hollandës nga data 18 deri në 22 maj, pas anullimit të ‘Eurovision 2020’ për shkak të pandemisë së koronavirusit.