Në prag të ndeshjes ndaj Anglisë, e vlefshme për fushatën kualifikuese të Botërorit “Katar 2022”, në konferencë për shtyp është shfaqur mesfushori i Kombëtares shqiptare, Qazim Laçi i cili ka analizuar këtë takim.
“Ndihem mirë, e kalova shumë shpejt dëmtimin. Nga të gjitha anët taktike do të punojmë, kemi një kundërshtar që në të gjitha fazat e lojës është shumë mirë. Do të punojmë shumë për këto ditë që kemi për të marrë maksimumin dhe për të marrë një rezultat pozitiv.
Luajmë ndaj Anglisë, do të jetë një ndeshje e fortë, por dhe ne do të përgatitemi shumë mirë për të marrë rezultat në Uembli. Do të jetë hera e parë që do të luaj, do të kemi emocione sepse kur luajmë me Kombëtaren ne kemi emocion.
Unë ndihem mirë aty ku ndihet dhe trajneri, sepse ai e jep formacionin. Konkurrenca në ekip në këtë nivel dhe Kombëtare që jemi, është ngritur dhe kjo është gjë e mirë për ne. Po përgatitemi për një sfidë të vështirë, po përgatitemi si fizikisht dhe mendërisht”, tha Laçi.
/Priza.al/