Gjiri i Lalzit në bashkinë e Durrësit është simbol i “grabitjes” së tokës në bregdet nga zyrtarët dhe ish-zyrtarët e lartë të shtetit në të gjitha qeveritë e këtyre 30 viteve.
Në këtë gji të bukur zor se gjen më një copë të lirë toke apo pa pronar, në një kohë që edhe ato parcela që kanë qenë të lira ose pjesë e ish-ndërmarrjeve bujqësore janë “privatizuar” dhe me kohë u ka dalë pronari.
Por një sipërfaqe e konsiderueshme toke në këtë bregdet është vënë nën sekuestro sot, pasi u zbuluan parregullsi dhe abuzime më dokumentacionin e saj.
Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me aksionin e sotëm, ku me urdhër të Gjykatës së Posaçme është bërë një kontroll i befasishëm mbrëmë në 7 banesa.
Bëhet fjalë banesa të zyrtarëve të Kadastrës së Durrësit, ish-zyrtarë, por edhe qytetarë përfitues të pronave, mes tyre dhe ish-kryeregjistruesi, Bedri Luku.
“BË” ka publikuar sot emrat e personave të cilëve iu është kontrolluar banesa, ndërsa bëhet fjalë për: Bedri Lukun, Vlash Brahja, Altin Haruni, Agron Bejdolli, Lisander Xhizdari, Asllan Arapaj, si dhe Ber Begeja.
Po ashtu, ka edhe një procedim penal të regjistruar, ndërkohë janë sekuestruar rreth 190 mijë m2 tokë në Gjirin e Lalzit.
Mësohet se, procedimi ka nisur në 2020 nga SPAK, për falsifikim të pronave në Hamallaj, në zonën e Gjirit të Lalzit. Aktualisht po hetohet për veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës, falsifikim dokumentesh.
/Priza.al/