“Turizmi malor po ecën ‘pa shteg’”/ KLSH nxjerr raportin: Sektori është në informalitet dhe ka mungesë koordinimi

Synimi i Shqipërisë për t’u kthyer në një destinacion gjithëvjetor sa i takon turizmit, ku përveç detit dhe rërës të ketë edhe atë të borës, duket se mbetet më shumë mes deklaratash sesa e zbatuar në praktikë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit në një auditim specifik, që ka në fokus zhvillimin e turizmit malor konstatoi se, ka mungesë rakordimi mes institucioneve dhe federatave që do ta nxisnin këtë lloj turizmi më shumë.

Audituesit konstatojnë se regjistrimi i strukturave, mungesa e kategorizimit të tyre bën që informaliteti të jetë problem.

“Mungesa e përgatitjes së planit të masave për sigurinë e vizitorëve në zonat natyrore, e realizimit të objektivit strategjik, për regjistrimin e 80% të strukturave akomoduese të vogla familjare (kryesisht në zonat malore), duke ndikuar negativisht në uljen e informalitetit në sektorin e turizmit, si dhe mungesa e një programi pune me qëllim përcaktimin e masave konkrete, afateve, institucionet me të cilat do të bashkëpunojë MTM, për reduktimin e fenomenit të informalitetit, në gjykimin e grupit të auditimit, ndikon negativisht në cilësinë e shërbimit të ofruar, cenimin e sigurisë së turistit, uljen e numrit të turistëve në zonat malore, e për rrjedhojë zhvillimin me ritme të ulëta të turizmit malor”,- thuhet në dokument.

Për audituesit duhet të ketë një bashkërendim më të mirë që të dixhitalizohen shtigjet si dhe të pasqyrohen ne e-turizmi destinacionet në mënyrë që turistët ta kenë më të thjeshtë aksesin. Kjo duhet të ecë paralelisht me mbulimin me valë.

Nga ana e institucioneve nuk ka një produkt final që të ketë identifikuar zonat ku mund të ngihen pista skijimi apo të zhvillohet alpinizmi e po kështu nuk ka një paketë turistike për aktivitetet dimërore.

I njëjti auditim vlerëson se mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional (horizontalisht dhe vertikalisht) ndërmjet Ministrisë së Turizmit-së dhe Institucioneve të tjera nga ministritë e linjës tek dhe grupet e interesit (Federata/shoqata të ndryshme sportive, si Alpinizmi, Aeronautika, Çiklizmi, etj), për: -përgatitjen e planit të masave për sigurinë e vizitorëve në zonat natyrore;  lirimin e paketës turistike për aktivitetet dimërore; krijimin e stacioneve të transportit turistik  tregon për dobësi në realizimin e detyrimeve ligjore dhe strategjike dhe mungesë koordinimi.

“Për pasojë sjell infrastrukturë mbështetëse të dobët për ofruesit dhe përfituesit e shërbimit turistik, mungesë të alternativave argëtuese në turizmin malor, ndikon negativisht në promovimin e produkteve turistike, në hartimin e planeve dhe përcaktimin e objektivave real për zhvillimin e produktit turistik dhe në zhvillimin e qëndrueshëm dhe të sigurt të turizmit malor”,- thuhet në auditimin e KLSH.

Ky institucion ka rekomanduar një sërë masash që mund të merren nga autoritetet për të ndryshuar situatën dhe për të nxitur zhvillimin e turizmit malor.

/Burimi: Monitor.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *