Fshati i Bilçës është një nga zonat më prodhuese në qarkun e Beratit, për prodhimin e ullirit të tavolinës dhe ullirit vajs. Familjet e këtij fshati në ish-njësinë administrative Velabisht jetojnë vetëm prej kultivimit dhe tregtimit të ullinjve.
Pjesa më e madhe e prodhimit shkoi dëm dhe ulliri këtë vit nuk arriti pjekjen e duhur për shkak të kushteve jo të favorshme klimaterike.
Banorët e Bilçës shprehen se, plehrat kimike dhe pesticidet këtë vit janë rritur dhe atyre nuk u del as kostoja që kanë shpenzuar për shërbimet që i kanë bërë pemëve të ullirit. Ata deklarojnë se ulliri është e vetmja e ardhur ekonomike që ata kanë për të mbajtur familjet e tyre por nga viti në vit ata po zhyten në borxhe.
Fermerët pohojnë se, ata nuk kanë marrë asnjëherë asnjë ndihmë ekonomike, grante apo subvencion nga shteti, edhe pse qeveria ka vite që deklaron se po ndihmon fermerët.
/Priza.al/