Kraja kërkoi nga deputetët që të parashikohet sigurimi i një objekti për akomodimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila pritet të fillojë punën me kapacitet të plotë në muajin maj të vitit të ardhshëm.

“Problemi i parë është nevoja e një ndërtese për Byronë Kombëtare të Hetimit. Byroja Kombëtare e Hetimit është një strukturë e ngritur në varësinë tonë që ka 60 hetues, shto drejtorin, plus dhe 20 administratë, është një numër goxha i madh.

Me strukturat tona ekonomike bëmë një ide sa mund të kushtojë një objekt i ri në vija të përgjithshme, në KLP u hodh ideja që mund të gjejmë një ndërtesë të gatshme dhe që mund ta marrim.

Ne jemi tërhequr nga kërkesa për fondin pasi mund të gjejmë zgjidhje me një objekt të gatshëm, por është një problematik që duhet të marrë zgjidhje deri vitin e ardhshëm dhe duhet të jetë në vëmendjen tuaj.

Problemi i dytë ka të bëjë me shërbimet e policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ligji parashikon që Byroja Kombëtare e Hetimit të ketë shërbimet e policisë gjyqësore. Që do të thotë duhet të ketë përfaqësues nga Policia e Shtetit të cilët rrinë në objektet ku ata janë, por paguhen nga Byroja Kombëtare e Hetimit. Kjo ka një problematikë në përcaktimin e numrit dhe të garës, ne kemi përcaktuar një numër prej 50 por na duhet fondi për të hapur garën.

Është një procedurë e ngatërruar, ministria e Financave na i ka dhënë fondet, ne jemi ok por risku është që mund të mos përdoret totalisht pasi i njëjti fond i është dhënë dhe policisë së Shtetit. Është problematikë e ligjit”, tha Kraja.

/Priza.al/