Maturantët do fillojnë mësimin nëpër klasa, ndërsa ora policore do të vijojë. Është ky vendimi më i fundit i përcjellë nga ana e Komitetit Teknik të Ekpertëve. Maturantët do të lejohet të kthehen në shkolla, në mënyrë që të përgatiten sa më mirë për provimet që do të duhet të japin në përfundim të vitit shkollor. Teksa kanë bërë një bilanc të situatës, Komiteti doli në përfundimin se paraqitet e stabilizuar, me tendencë ulje të incidencës.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fiço, shprehu shqetësimin se numri i Bashkive të prekura ka pësuar rritje, e cila ka shkuar në 40.
“Është bërë një ritual vlerësimi i masave. Sot do të shqyrtojmë periudhën nga 17-30 mars. Incidencë dy javore ka pësuar një zbritje. Mesatarja gjithashtu. Totali i rasteve aktive ka pësuar zbritje gjithashtu.
Ne akoma nuk jemi të kënaqur, sepse për të gjithë ata që ndjekin nga afër situatën, objektivi është të shkojmë shumë më poshtë. Numri i Bashkive të prekura ka pësuar rritje, e cila ka shkuar në 40.
Mesatarja e shtrimeve në spitale ka pësuar ulje. Numri i të intubuarve ka pësuar ulje. Një numër më i pakët është ai i vdekjeve. Kjo situatë në krahasim me atë çfarë ne vlerësuam herës së kaluar, ka disa ndryshime që mund të jenë të vogla, por në tërësinë e vet, ne mendojmë se mbetet një situatë me numra të kontrolluar, por sërish delikate.
Ne kemi një shkak për tu ndjerë më mirë, atë të nisjes së vaksinimit masiv. Deri dje janë kryer 21 mijë e 536 vaksina, dhe numri ka arritur në total në 100 mijë. Që prej fillimit të fushatës janë kryer në total 119 mijë e 321 vaksinime”.
Masat që mbeten në fuqi
Vendi do të mbyllet gjatë fashës orare 20:00-06:00.
Qytetarët nuk lejohet që të lëvizin gjatë kësaj fashe orare.
Përjashtim bëjnë rastet e emergjencave shëndetësore, dhe për arsye pune. Në rastin e fundit duhet të keni lejen e posaçme.
Gjatë kësaj fashe orari, nuk lejohet aktiviteti i bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit. Përjashtim bëjnë shërbimet delivery.
Shkollat e mesme në zonat e riskut të lartë vijojnë online, përveç maturantëve.
Universitetet do të vijojnë me mësimin online.
Fluturimet me Britaninë e Madhe mbeten të pezulluara.