Shkollat, veçanërisht gjimnazet, janë vatrat më të reja të koronavirusit në Tiranë. Dhjetëra teste të shpejta kryhen çdo ditë nga epidemiologët në terren, të cilët kanë sinjale për nxënës të infektuar.
Pas konfirmimit të pozitivitetit në disa shkolla, specialistët kanë rekomanduar mbylljen e përkohshme të klasës dhe kthimin e mësimit online.
Gjimnazi “Ismail Qemali” dhe “Petro Nini Luarasi” në kryeqytet janë detyruar të mbyllin disa klasa dhe të karantinojnë nxënësit për të frenuar përhapjen e infeksionit. Sipas epidemiologëve, këtë periudhë në çdo bashki të vendit ka klasa të mbyllura për shkak të infektimeve në nxënës.
Pjesa më e madhe e fëmijëve të infektuar janë asimptomatikë, ndërsa numri i mësuesve të prekur është shumë i ulët. Nxënësit e shkollave dhe të rinjtë e pavaksinuar rezultojnë grupmosha më të prekur nga koronavirusi në këtë periudhë.
Mbi 700 teste kryhen çdo ditë në institucione arsimore dhe vatra familje gjatë gjurmimit dhe hetimit epidemiologjik. Zonat më të nxehta nga koronavirusi në Tiranë janë ish-Blloku, zona e Astrit, Kamza, Lapraka, zonat pranë rrugës “Mine Peza” dhe Jordan Misja.
/Burimi: A2CNN/