Strategu i ish-presidentit amerikan Donald Trump, Steve Bannon është akuzuar penalisht për shpërfillje të Kongresit, pas refuzimit për të dëshmuar në lidhje me ngjarjet e 6 janarit, kur u sulmua kompleksi Kapitol Hill.
Bannon ishte thirrur nga komisioni i posaçëm hetimor për të dëshmuar mbi atë që dinte lidhur me planet e protestës së mbështetësve të Trump, që bastisën zyrat e Kongresit dhe Senatit amerikan.
Dhoma e Përfaqësuesve vendosi muajin e kaluar ta dërgonte çështjen në Departamentin e Drejtësisë, i cili vendosi të premten të ndjekë penalisht 67-vjeçarin.
Tani, Bannon mund të përballet me një vit burg dhe një gjobë prej 100 mijë dollarësh. Kjo është ndjekja e parë penale që vjen nga komisioni hetimor i Dhomës së Përfaqësuesve mbi kryengritjen e 6 janarit.
Konkretisht, Bannon përballet me 2 akuza, njëra e lidhur me refuzimin e tij për të dëshmuar në komision dhe tjetra me refuzimin e tij për të paraqitur dokumentet që ka në zotërim.
Mbështetësit e Trump bastisën godinën e Kongresit amerikan më 6 janar, teksa ligjvënësit ishin mbledhur për të certifikuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.
Trump, nga radhët e republikanëve, kishte refuzuar të njihte humbjen përballë kandidatit demokrat Joe Biden, duke bërë deklarata të paprovuara për manipulim votash.
Ish-këshilltari politik, që u shkarkua nga detyra në Shtëpinë e Bardhë në 2017-n, por që i mbeti besnik presidentit Trump, pritet t’u dorëzohet autoriteteve ditën e hënë, kur dhe do të paraqitet në gjykatë.
/Burimi: CNN/ Pwrshtati: Priza.al/