Biznesmeni Rezart Taçi është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi akuzohet për pastrim parash.
Hetimet për të ende vijojnë ndërkohë që SPAK ka kërkuar infomacione nga bankat e nivelit të dytë në vend për të parë të gjitha transaksionet që mund të jenë kryer nga Rezart Taçi, si dhe për të zbuluar nëse ka pasur ndonjë të paligjshëm.
Hetimet po kryhen dhe për personat që kanë bashkëpunuar me Taçin, dy prej të cilëve u arrestuan ditën e djeshme. Bledat Lilo dhe Artur Balla janë dy bashkëpuntorët e Taçit të cilët u vunë në pranga, ndërsa vetë biznesmeni është shpallur në kërkim pasi nuk u gjet në banesë.
Në dosjen e prokurorisë italiane të siguruar nga gazetari Thimi Samarxhiu e të publikuara në emisionin e tij “Zona Zero” në Top News si dhe nga Gazeta Shqip, dalin edhe përgjime telefonike mes të përfshirëve në hetime.
Mbrëmjen e 21 shtatorit, gjithmonë falë përgjimeve ambientale të vendosura në apartamentin në Milano të Petruzzella-s, mësohet se ky i fundit, donte të përshpejtonte gjërat, por personi me emrin Artur Balla, kunati i Rezart Taçit, e kishte bllokuar.
“I tha absolutisht që jo, ti duhet të lëvizësh vetëm kur të të them unë”. Dhe këtë e kishte konfirmuar dhe Cestagalli, i cili kishte thënë: “pothuajse është e bërë, varet vetëm nga ky copë m*** që po mbledh firmat e të gjitha ministrave të qeverisë shqiptare, se nuk do që t’i çajnë b**** nga askush”.
Më 23 shtator 2021, duke folur akoma për të lartpërmendurin Artur Balla, Petruzzella tha se po ndihej në vështirësi për padurimin që po tregonte Zummo.
Ky i fundit kishte filluar të dyshonte për ekzistencën e parave të tij në Shqipëri dhe për këtë i kërkonte bashkëseduesit të tij që të gjente të paktën një mënyrë për t’i treguar që shuma e parave ishte atje.
Për t’ia plotësuar dëshirën, komercialisti risjell fjalët e Zummo-s: “..po nuk ia kërkuam ne këtë shërbim, do e bënin gratis. Tani ku dreqin është problemi”.
Biseda e Petruzzella-s me Artur Ballën
Petruzzella: .…alo..alo, Artur më dëgjon?! Atëherë, unë kam një problem Artur dhe ti duhet të…para së gjithash duhet të më zgjidhësh një problem shumë të madh. Klienti im po humb besimin te unë. Se është edhe 90 vjeç dhe e ka të vështirë ta kuptojë se çfarë dreqin po ndodh. Më tha që ju do e bënit falas këtë shërbim, kështu që ku dreqin është problemi….a më dëgjon?….
Është 90 vjeç o Artur dhe po më mbyt me pyetje, thotë që do që të shohë me sytë e tij që paratë janë në llogari. A e kupton se në çfarë pike mosbesimi kam arritur? Kështu që e kam me urgjencë që të hidhen paratë. Se u bënë dy muaj, jo një po dy. Se unë i them që është përfunduar gjithçka e po më pyet pse nuk i lëviz dot. E kupton se ça rrëmuje do shkaktonte po të fliste?
Ditën e djeshme Taçi mohoi akuzat dhe paralajmëroi se do kthej në Shqipëri shumë shpejt për t’u përballur me drejtësinë. Në disa intervista të ndryshme televizive, Taçi tha dje se akuzat ndaj tij janë të pabaza, dhe se me sipërmarrësin e dyshuar italian nuk ka pasur njohje të mëparshme.
Biznesmeni Rezart Taçi është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ditën e djeshme. Në pranga kanë përfunduar dy bashkëpunëtorët e tij Artur Balla dhe Bledar Lilo. Ish-bossi i kompanisë së naftës “ARMO”, akuzohet se është i përfshirë në pastrimin e parave nga veprimtaritë kriminale, vepër penale kjo e ngritur dhe për dy bashkëpuntorët e tij.
Taçi dyshohet se bashkëpunonte në Itali me 90-vjeçarin Francesco Zummon dhe Fabio Petruzzella-n, të cilët janë dy nga italianët e arrestuar në Itali, si të përfshirë në skemën e pastrimit të parave, ndërsa janë në këkrim ende edhe dy italianët e tjerë. Përmes transaksioneve bankare, Taçi do të kalonte paratë e krimit në nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri ne bankat e tjera jashtë vendit , ku dhe do të përfitonte përqindjen e tij, rreth 3 milionë euro.
/Burimi: Gazeta Shqip/