Një çift izraelit është vendosur në telashe në Turqi, pasi janë pikasur duke fotografuar rezidencën e presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan, në Stamboll. Ata janë duke u akuzuar për spiunazh, shkruajnë mediat lokale turke, të cilat pretendojnë se kanë informacione se çifti punonte për “MOSAD-in”.
Burime bëjnë me dije se çifti, e ka fotografuar rezidencën presidenciale nga lokali ku ndodheshin, e që kishte pamje të plotë të godinës.
Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm i Izraelit, Jair Lapid, mohoi që çifti po punonte për ‘shërbimet izraelite’ të sigurisë, duke shtuar se, janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet turke për çiftin e arrestuar.
Gazeta izraelite “Haaretz”, identifikoi çiftin si Natalie dhe Mordi Oknin dhe duke iu referuar avokatit të tyre, mësohet se ata kanë fotografuar nga lokali pallatin “Dolmabahçe” të ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane.
Ky veprim nga ana e Ankarasë, duket se do t’i hedhë më shumë “benzinë” zjarrit të acarimit të marrëdhënieve midis dy vendeve kohët e fundit.
/Priza.al/