‘Vajdin Lamen e vrau Aldo Bare’?/ Ish-efektivi i policisë sjell dëshminë tronditëse: Ekzekutimin e realizoi…  

U konsiderua si vrasja e vitit dhe një nga më të bujshmet për kohën dhe mënyrën se si u realizua. Por sot një dëshmi tjetër tronditëse ka ardhur për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamajt.

“Ora News” ka siguruar deklaratën e ish-efektivit të policisë Pellumb Beqiraj, i cili i mbijetoi një sulmi me armë zjarri të dielën e kaluar në Divjakë. Sipas tij, ekzekutimin e Lamajt, e ka kryer Enver Rabija, ushtar i Aldo Bares.

Pëllumb Beqiri, ish-efektivi i policisë së Lushnjës, që u qëllua me armë zjarri në fshatin Ferras të Divjakës, nuk është i panjohur për strukturat e policisë kriminale të shtetit dhe Prokurorinë e Posaçme SPAK.

Momentalisht për këtë ngjarje është arrestuar një person për akuzën e “kanosjes me armë” dhe “mbajtjes pa leje të armëve”.

Tre të tjerë janë proceduar penalisht. Beqiri mundi t’i shpëtojë plumbave mbrëmjen e së dielës. “Ora News” ka mësuar se ish-efektivi është një nga dëshmitarët e prokurorisë.

Ai ka treguar rrethana mbi vrasjen në ashensor të Vajdin Lamajt dhe vrasjen tjetër, po në ashensor të anëtarit të bandës së Lushnjës, Enver Rabija.

Të dy ngjarjet kanë ndodhur në kohë të ndryshme dhe vendi i krimit ka qenë ashensori.

Në një deklarim që “Ora News” ka mundur ta sigurojë, Pëllumb Beqiri, tregon se kishte lidhje miqësie me Enver Rabijen, ushtarin e Aldo Bares. Këtë deklarim e ka edhe oficeri i policisë Tonin Vocaj.

Ky dokument i është përcjellë Krimeve të Rënda, nga Vocaj dhe Agron Kuliçaj dhe tashmë është pjesë e dosjes, për hetimin e Lulzim Berishës, Plaurent Dervishajt, Emiljano Shullazit, Indrit Taullaut, Viktor Ymerit dhe personave të tjerë.

Në dëshminë që Pëllumb Beqiri, ka dhënë para oficerit Tonin Vocaj, jep detaje se sipas tij, vrasjen e Vajdin Lamaj, e ka kryer banda e Lushnjës dhe se krimin e realizoi kushëriri i tij, Enver Rabija.

“Në bisedë e sipër, Enver Rabija, më ka treguar se vrasja kishte ndodhur për garancinë e 70 kg heroinë të pastër që e zotëronte Alfred Shkurti dhe që duhet të shkonte në Spanjë”,- ka pohuar Beqiri.

Ky i fundit është dëshmitari i dytë që flet për ekzekutimin e Vajdin Lames. Tjetri, i njohur si Luftar Reçi, që tashmë SPAK i ka dhënë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ka treguar rrethana mbi vrasjen.

Ai ka thënë se krimin e kanë kryer anëtarë të grupeve kriminale që veprojnë në Tiranë dhe Durrës. Të dy dëshmitë deri në këtë fazë të hetimit janë kontradiktore, për shkak se, janë dy dëshmitarë që kanë dhënë versione dhe autorë të ndryshëm, për të njëjtën ngjarje.

Sot e kësaj dite për këtë vrasje vijojnë të qëndrojnë në burg Viktor Ymeri, Emiljano Shullazi dhe Indrit Taullau.

https://www.youtube.com/watch?v=iPcIvzGdmDU

/Burimi: Oranews/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *