‘4 parodistët e Vlorës’ ka qenë historikisht grupi më i njohur dhe i dashur në të gjithë vendin, nga të gjithë shqiptarët. Prej një jete të tërë, ata kanë performuar në skenën e Vlorës, të gjithë Shqipërisë, por edhe jashtë saj, teksa gjithmonë kanë realizuar shfaqje që janë mirëpritur nga publiku.
Të njohur në të gjithë Shqipërinë dhe nga të gjithë shqiptarët, bashkë me ta është njohur edhe emri i Vlorës, pasi ndryshe emri i tyre artistik është ‘4 parodistët e Vlorës’.
Do të ishte tejet e vështirë ta përmbledhësh jetën dhe veprimtarinë e tyre artistike në disa minuta, megjithatë njëri prej pjesëtarëve të grupit, Afrim Agalliu, përmes “SYRI TV”, ndan disa detaje për publikun, nga mënyra sesi nisi aktiviteti i këtij grupi kaq të dashur për shqiptarët.
Agalliu tregon edhe momentin që e konsideron si kulmin e karrierës së ‘4 parodistëve’.
Ndryshe nga humori i mëparshëm që ishte i kontrolluar, humori sot në Shqipëri, sipas Agalliut, ka pësuar një deformim dhe nuk përcjell mesazhe me vlerë, madje shpesh herë kalon edhe në banalitet.
Teksa bëri me dije se së shpejti do të publikohet edhe një shfaqje e re për situatën pandemike në Shqipëri, Agalliu tregoi edhe momentet më pikante të grupit gjatë karrierës së tyre.
Që prej majit të 2019, ‘4 parodistët e Vlorës’ mbetën 3, pas humbjes së jetës së kolegut të tyre, Muhamet Lika, i cili u shua pas një ataku kardiak. Agalliu nuk ka fjalë ta përshkruajë dhimbjen për humbjen e kolegut, më të cilin kishte performuar në skenë prej më shumë se 4 dekadash.
Duke folur për prirjen dhe interesin e të rinjve për parodinë, Agalliu u ka lënë derën e hapur të gjithë atyre që duan të mësojnë më shume rreth humorit, duke theksuar se i mirëpret.
Gjithçka nisi kur një grup parodistësh të rinj e të talentuar, realizuan parodinë e parë të Pëllumb Kullës, ‘Hallet e Demos’ e që nga ajo ditë ata nuk u ndalën më, duke prodhuar edhe sot e kësaj dite, shfaqjet më të dashura për publikun, për t’i dhuruar të qeshura pafund.
/Burimi: Syri Tv/