Aksioni për pastrimin e Bregut të Lumit/ Kryebashkiaku Veliaj: Marrim masa për ata që ndotin  

Bashkia e Tiranës ka nisur prej disa ditësh një aksion të madh për pastrimin e zonës së Bregut të Lumit, ku punonjësit e terrenit dhe jo vetëm po punojnë me intensitet për largimin e mbetjeve të hedhura pa kriter nga qytetarë të papërgjegjshëm.

Aksionit të pastrimit këtë të dielë iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Kamzës Rakip Suli si dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe zv.ministrja e Mbrojtjes Dallëndyshe Bici.

Kryebashkiaku Veliaj tha se, mbajtja pastër e çdo zone në kryeqytet, nuk bën gjë tjetër veçse i rrit vlerën pronës.

“Ndotja ndodh nga banorët e zonës. Është për të ardhur keq sepse ky komunitet ka parë investimin më të madh. I është rritur vlera e pronës vetëm nga fakti që lumi tani nuk përmbytet më. Para 6 vitesh përmbytja e lumit shkonte deri tek “Siri Kodra”. Sot është bërë një investim i jashtëzakonshëm, por duhet mirëmbajtur. Ne mund të bëjmë mijëra kilometra rrugë, infrastrukturë, por njeriu duhet të punojë me mentalitetin e tij, sepse vetëm kështu ia rrit vlerën kësaj prone, për të cilën është rritur interesi edhe për shkak të lagjeve të reja që po bëhen”,- theksoi Veliaj.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të reflektojnë dhe të mos ndotin ambientin ku jetojnë.

“Ftesa për të gjithë qytetarët është: Kjo nuk fitohet me një aksion. Mos e bëni për Edi Ramën, mos e bëni për ministren, mos e bëni për kryetarin e bashkisë, por për fëmijët tuaj. Kur del fëmija dhe luan në një fushë me plehra, është ai i pari që impaktohet, është shëndeti i tij, është ajo që merr frymë, është ushqimi që ha”,- vijoi më Veliaj, teksa paralajmëroi se do merren masa për këdo që ndot ambientin.

“Ne do fillojmë të vëmë masa për të ruajtur fëmijën e banorit që hedh plehrat. Po vëmë masa, po gjobisim prindin, që të ruajmë fëmijën, sepse është e pamundur të vazhdohet kështu”,- pohoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Kamzës Rakip Suli shprehu rëndësinë e mbajtjes së mjedisit pastër, ndërsa theksoi se për këtë, para së gjithash nevojitet ndryshim mentaliteti për të mos hedhur mbetjet kudo.

Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit Mirela Kumbaro u shpreh se kjo iniciativë është në vazhdimin e një plani të pastrimit kombëtar që ka nisur si përgatitje një muaj më parë.

“Nëse jemi këtu në mandatin e tretë jemi sepse kemi marrë përsipër edhe kusuret e 30 viteve, edhe detyrat e sotme, por sidomos kemi marrë përsipër të ardhmen e fëmijëve tanë. Dhe në ka një gjë që patjetër duhet ta disiplinojmë, është pastrimi i mbetjeve”,- theksoi Kumbaro.

Ky aksion i gjerë pastrimi do të vazhdojë edhe ditët në vijim deri në pastrimin e plotë të zonës.

Qytetarët që jetojnë pranë zonës së njohur si Bregu i Lumit kanë shpëtuar tashmë prej përmbytjeve që pësonin thuajse pas çdo shiu. Ndërhyrja e Bashkisë së Tiranës për rehabilitimin e gjithë kësaj zone me ndërtimin e skarpateve dhe pritave në gjithë gjatësinë e Lumit të Tiranës ka eliminuar përmbytjet.

/Burimi: TCh/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *