Tërmetet nuk kanë të ndalur! Regjistrohet një viktimë dhe dhjetëra të plagosur në Iran

Dy tërmete të fuqishme kanë goditur Iranin jugor radhazi, duke shkaktuar një viktimë dhe dhjetëra të plagosur. Kreu i Qendrës Sizmologjike Iraniane, Esmaeil Bayramnejad është shprehur për Al Jazeera se dy lëkundjet ishin me magnitudë 6.4 dhe 6.3 që goditën në një minutë një zonë pranë ishullit Qeshm, afër qytetit port të Bandar Abbas.

Tërmetet u ndjenë në provincat fqinje, përfshirë Kermanin, si dhe në Dubai në Emiratet e Bashkuara Arabe si dhe u shoqëruar dhe nga disa pasgoditje.

Viktima vdiq kur një shtyllë elektrike ra mbi të teksa po ecte në një rrugë në Bandar Abbas. Videot në mediat sociale treguan gjithashtu pjesë të malit Geno në Bandar Abbas duke u shembur.

Presidenti Ebrahim Raisi urdhëroi një mbledhje të menjëhershme të kabinetit të tij për të diskutuar masat për të garantuar sigurinë e zonave të prekura. Ai gjithashtu urdhëroi zëvendëspresidentin e tij të parë, Mohammad Mohkber, të udhëtonte në Hormozgan për të vlerësuar personalisht situatën.

Në mënyrë të frikshme, tërmetet vijnë një ditë pasi një deputet i lartë në Bashkinë e Teheranit njoftoi se një varrezë e madhe me një sipërfaqe prej 13 hektarësh po përgatitet për të mund të strehojë viktimat e një tërmeti potencialisht vdekjeprurës në kryeqytet.

Ekspertët kanë paralajmëruar prej vitesh se Teherani një ditë mund të goditet nga një tërmet i madh, pasi ndodhet afër vijave të thyerjes.

/Burimi: Al Jazeera/ Përshtati në shqip: Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *