Erigers Mihasi është 32-vjeçari, i cili mbeti i vrarë me armë zjarri mbrëmjen e së shtunës në zonën e “Astirit” në Tiranë bashkë me Armand Dumanin. Deri tani nuk ka asnjë autor të dyshuar, por policia ka shoqëruar disa persona, kryesisht lidhje të dy viktimave, por edhe persona që mund të kenë dijeni për krimin. Ndërkohë që dyshohet se ka pasur edhe persona të tjerë të përfshirë në rolin e vëzhguesve.
Duke parë profilin e dy viktimave Erigers Mihasi dhe Armand Dumani, njëri prej tyre i dyshuar i dikurshëm si grabitës i prindërve të Elton Çiços, por duke parë edhe lidhjet shoqërore të tyre me personazhe të njohur në krim si dhe mekanizmin si u krye atentati, hetuesit janë të bindur se vrasësit e tyre janë të kontraktuar nga një grup rival me zonë veprimi Tiranën.
Burime nga grupi hetimor thanë dje se autorët e vrasjes së dyfishtë në zonën e “Astirit” në Tiranë mendohet se i kanë ndjekur viktimat gjatë gjithë ditës së shtunës, duke vëzhguar të gjitha lëvizjet që kanë kryer pasdite. Të njëjtat burime thanë se objektiv i atentatit ka qenë 32-vjeçari Erigers Mihasi, i konsideruar nga Policia me precedentë të theksuar kriminal.
Makina tip “Toyota”, me targa të vjedhura, i është afruar paralel automjetit luksoz që drejtonte Erigers Mihasit, në sediljen e parë të së cilës ishte miku i tij Armand Dumani. Vetëm pak metra para se ata të ktheheshin për në lagjet e “Astirit”, kanë qëlluar me breshëri në drejtim të tyre. Autorët kanë vazhduar rrugën në drejtim të ish-sheshit “Shqiponja”.
Burimet thonë se ndjekja dyshohet të ketë filluar që në degëzimin e mbikalimit pranë “Pallatit me Shigjeta” deri në zonën e njohur si “2 Rrathët” në “Astir”. Plumbat kanë kapur fillimisht makinën në derën e dytë dhe më pas janë përqendruar në xhamin e derës së parë nga ana e pasagjerit ku ishte Armand Dumani, të cilat kanë qenë fatale për dy rinjtë. Mbetjet e xhamave të makinës tip “Audi” vazhdonin të ishin në vendngjarje deri mesditën e të dielës.
Makina e gjetur e djegur në Thumanë rezulton të jetë vjedhur jashtë vendit, ashtu si edhe targat, të cilat rezultojnë se janë vjedhur në Tiranë gjatë muajit korrik. Kjo e bën grupin hetimor të dyshojë se atentati ka qenë i përgatitur që në verë. Ndërsa automjeti mësohet se ishte vjedhur në Greqi.
Nga mbledhja e provave të deritanishme rezulton se edhe në këtë atentat si edhe në dy më të fundit , si ai që ndodhi në Laç ku u vra Xhelal Reçi dhe në Fier ku u vra Demir Backa, autorët përdoren automjete dhe targa të vjedhura shumë muaj përpara se të shkrepnin armët.
Kush është Erigers Mihasi?
Erigers Mihasi është 32-vjeçari, i cili mbeti i vrarë me armë zjarri mbrëmjen e së shtunës në zonën e “Astirit” në Tiranë. Emri i tij nuk është i panjohur për Policinë, pasi rezulton i arrestuar në vitin 2019 si një prej personave të dyshuar të grabitjes me armë të banesës së prindërve të Elton Çiçës në Tepelenë.
Mësohet se arrestimi i tij është bërë në Yrshek të Tiranës, por Mihasi përfitoi pafajësinë në këtë krim dhe u lirua disa muaj më pas. Po ashtu, emri i tij del edhe në sulmin me armë ndaj kompleksit “Eiffel”, ku Mihasi u raportua si një nga bashkëpunëtorët e sulmit. Ai njihej si mik i ngushtë me Santiago Malkon, ish-policin që u vra më 27 gusht të vitit 2019. Ndërsa edhe viktima tjetër, Armando Dumani, njihej si një person pa precedentë penalë.
Nga ana tjetër, Mihasi, është mbajtur në vëzhgim për disa javë nga Policia, pas vrasjes së Shkëlzen Kastratit, që ndodhi në shkurt të këtij viti në Fier. Së fundmi, ai është përgjuar nga grupi hetimor për vrasjen e ish-policit Xhelal Reçi, në Laç, ngjarje që ndodhi në fillim të këtij muaji. Erigers Mihasi ishte mik i ish-policit Santiago Malko që u vra në Tiranë.
VRASJA NË FIER
Vrasja e Shkëlzen Kastratit në Fier vuri në lëvizje Policinë dhe Prokurorinë për të identifikuar dhe arrestuar autorët e atentatit, duke i shtrirë verifikimet e kontrollet në disa qytete të vendit. Në fund të muajit shkurt të këtij viti, forcat speciale RENEA zhvilluan kontrolle të befasishme në qytetin e Laçit, ku kërkimet u fokusuan në ambientet e një kompleksi. Sipas burimeve, në këtë kompleks janë gjetur sende të paligjshme, ndërsa Policia ka shoqëruar 7 persona dhe ka arrestuar një tjetër. Mes të shoqëruarve ishte edhe pronari E.M. dhe miku i tij, pikërisht njëri nga viktimat e atentatit të së shtunës, Erigers Mihasi, i njohur për pjesëmarrje në disa ngjarje kriminale.
Ndërkohë, gjatë atyre kontrolleve në laç u arrestua Cen Karriçi, të cilit iu gjet edhe një armë zjarri tip pistoletë. Erigers Mihasi ka qenë një ndër personat e dyshuar për grabitje e prindërve të Elton Çiçës, ndërkohë që dyshohej si personi kryesor që ka qëlluar me armë zjarri ndaj kushërinjve Mumajesi në Tiranë. Gjithashtu, ai dyshohet se ka marrë pjesë në një ngjarje tjetër kriminale në vitin 2017 në Laç, ku ka mbetur i plagosur Rudolf Toma, punonjës në Bashkinë e Kurbinit.
PUSHIMI I HETIMEVE
Në prill të këtij viti Gjykata e Gjirokastrës, ka vendosur të kthejë për plotësim hetimesh çështjen penale që flet për grabitjen e dy të moshuarve, Naim e Antonela Çiça, prindër të Elton Çiçës vrarë në 1 Maj 2016 në mjediset e bar “De Niro”, në Gjirokastër. Disa nga anëtarët e këtij grupi i përbërë nga Robert Rama, Ervis Imeri, Sokol dhe Arben Jella, janë identifikuar dhe dënuar. Ndërsa në 8 qershor 2015 në Durrës, Robert Rama, u ekzekutua në shenjë hakmarrje nga Elton Çiça në qytetin e Durrësit. Seriali i hakmarrjes vijoi deri në muajin maj 2016, kur në Tiranë, Jani Alia ekzekuton Elton Çiçën. Por teksa anëtarët e dy grupimeve kriminale vijonin atentatet mes tyre, Prokuroria e Gjirokastrës vijonte hetimet, pasi disa gjurmë gishti që ishin fiksuar në banesën e grabitur dhe në automjetin tip “Audi” me targa italiane, nuk ishin identifikuar plotësisht.
Mos identifikimi i këtyre gjurmëve e bënte hetimin të vështirë dhe jo të plotë. Për tre vite me radhë një pjesë e dosjes ka qëndruar e pezulluar, deri sa në tetor 2018, çështja e grabitjes së prindërve të Elton Çiçës është rihapur sërish. Kjo pasi dy gjurmë gishti të marra në vendngjarjen e përplasjes me armë, në lokal “Monopol” në ish-Bllok, në Tiranë, përkonin me të viktimës Fabian Gaxha dhe Erigers Mihasit. Të dy këta personazhe, ku njëri ishte gjallë dhe tjetri i vdekur u dyshuan se kishin lidhje me grupin e grabitësve, për aq kohë sa gjurmët e gishtit të tyre dolën në makinën tip “Audi” të përdorur në grabitje. Hetimi për Fabian Gaxhën nuk mund të vijonte pasi ai kishte ndërruar jetë. Ndërsa ndaj Erigers Mihasit, u lëshua nga prokuroria një urdhër-arresti, duke bërë që policia ta ndalojë atë në banesën e tij në Yrshek të Tiranës në vitin 2019.
Gjashtë muaj pas arrestimit, Mihasi është liruar sërish me kërkesë të prokurorit, i cili kërkoi në Gjykatë zëvendësimin e masës së sigurisë nga “Arrest në burg” në “Detyrim paraqitje”. Mihasi vijoi të hetohej në gjendje të lirë, ndërkohë gjatë kësaj kohe Prokuroria shtriu verifikimet e saj në shumë persona, duke identifikuar personat që kishin shitur numrat, me të cilët komunikonin në grup autorët e krimit. Këta persona ishin të komunitetit Rom, që blinin numrat në emër të tyre dhe më pas i shisnin me 500 lekë të reja në tregun e zi. Në pamundësi për të zbuluar autorët e tjerë, Prokuroria e Gjirokastrës pak kohë më parë, i ka kërkuar gjykatës së qytetit, pushimin e dosjen penale që flet për grabitjen e dy prindërve të Elton Çiçës.
/Priza.al/